Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të ketë fletore zyrtare të dy qeverive që publikohet rregullisht në fund të çdo viti.

“Kemi rënë dakord që në periudhën e fundit të vitit të publikojmë revistën e parë bashkëqeveritare e cila do ti shërbejë të gjithë të interesuarve për të parë të gjitha faktet dhe shifrat e bashkëpunimit, të gjitha marrëveshjet dhe nivelin e zbatimit të tyre.

Do të kemi një fletore zyrtare të të dyja qeverive, e cila publikohet rregullisht në fund të çdo viti për të informuar të gjithë të interesuarit për ecurinë e bashkëpunimit mes nesh. Albini e tha me fjalë të tjera, unë po e them me shifër. Volumi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë 136 milionë euro, volum qesharak, sot jemi në 433 milionë euro që nuk është ende volumi që kemi ambicien të arrijmë, e kemi deklaruar që duam më shumë se 1 miliard, por nuk mund ta quash më të papërfillshëm. Nuk është një shifër me pak domethënie, por rezultat i mundit, i djersës, ambicies së sipërmarrësve shqiptarë dhe i nxitjeve që kemi mundur të krijojmë”, tha Rama.