Ditën e sotme dhe të nesërme, 12-13 Qershor 2022, qytetarë të shumtë nga e gjithë Shqipëria do të vizitojnë Kishën e Shna Ndout në Laç, për të kremtuar festën e këtij shenjti. Shumë prej besimtarëve e kalojnë natën pranë kishës.

Pelegrinët vijnë thuajse nga i gjithë vendi dhe pa dallime fetare, të krishterë apo myslimanë, për këtë arsye janë marrë masa për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas pelegrinazhit.

Rrugët që të kufizohen nga ora 10:00 datë 12.06.2022 – ora 00:00 datë 13.06.2022:

-Nga “Kryqëzimi i Gjykatës deri te Kisha e “Shna Ndout”;

-Nga “Kryqëzimi i Poliklinikës” deri te Kisha e “Shna Ndout”‘;

-Nga “Kryqëzimi i Gjimnazit” deri te Kisha e “Shna Ndout”;

-Nga “Pallati 113” – Kisha e “Shna Ndout”.

Në këto segmente rrugore do të qarkullojnë vetëm mjete të transportit publik ( autobus/taxi) të liçensuara dhe të përcaktuara nga Bashkia Laç, mjetet e Kishës, mjetet e personaliteteve të larta shtetërore, mjetet e emergjencave civile, zjarrfikëset, ambulancat dhe mjetet e policisë.

Rrugë për kombësorët do të jetë nga Kryqëzimi i Gjimnazit deri te “Kryqëzimi Varrezave”.

Nuk do të lejohen të hyjnë mjete të tonazhit të rëndë nga Mbikalimi i Patokut për në qytet Laç pasi bëhen shkak të bllokimit të qarkullimit rrugor.

Mjetet do të parkohen në vend parkingje të përcaktuara nga Bashkia Laç dhe nuk do të lejohen parkime në vende që bëhen pengesë për qarkullimin e lirë të mjeteve.

Historia e 3 të martave të shenjta në Kishën e Shna Ndout

Kisha e Laçit, e njohur ndryshe dhe si Kisha e Shna Ndout, prej vitesh njihet si një vend i shenjtë, ku mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria e vizitojnë këtë vend kryesisht gjatë 13 të martave të shenjta, që nisin prej 27 Marsit dhe kulminojnë më 13 Qershor. Thuhet se Kisha e Laçit daton që prej vitit 1300 kur u ndërtua për herë të pare nga vëllezërit françeskanë, duke u shkatërruar më pas në 1971 nga regjimi komunist i cili ndaloi besimin tek feja, për t’u ringritur përsëri në 1990, me besimin akoma më të fortë të qytetarëve katolikë.

Pelegrinazhi i 13 të martave bashkon Shqiptarë të cilët i përkasin feve të ndryshme, muslimanë, katolikë, ortodoks, të cilët pavarësisht besimit të tyre zgjedhin të vizitojnë “vendin që bën mrekulli”. Kisha e Shna Ndout ndodhet e veçuar në majë te malit, ku pelegrinëve u duhet të përshkojnë kilometra të tëra dhe të ngjisin qindra shkallë për të arritur në majë. Arsyeja që pelegrinazhi fokusohet në 13 të marta lidhet pikërisht me vdekjen e shenjtorit, në nder të të cilit është ngritur dhe Kisha – Shna Ndout.