Deputeti i PD Enkelejd Alibeaj deklaroi jashtë parlamentit para nisjes së seancës plenare se protesta duhet të nisë duke dalë kundër oligarkëve në Kuvend për çmimet e larta. Ai tha se mënyra më e mirë për të protestuar është Kuvendi.

Sipas Alibeajt, nuk mund të jetë Sali Berisha përfaqësimi i atyre njerëzve të cilët sot vuajnë gjithmonë e më tepër.

“Do protestosh për krimin, duhet të flasësh këtu. Do protestosh kundër çmimeve të larta, kundër oligarkëve, unë besoj se mënyra më e mirë për të protestuar është këtu. Unë protestoj sot, protestoj në çdo rast. Detyra e çdo deputeti është kjo. Nuk mund të jetë Sali Berisha përfaqësimi i atyre njerëzve të cilët sot vuajnë gjithmonë e më tepër. Absolutisht jo. Më kuptuat mirë se çfarë thashë.

Nuk është ai shpresa e njerëzve. Para se të shkojnë te sheshi dhe t’u thonë njerëzve hajdeni të protestoni të vijnë këtu dhe të thonë një gjë. Kanë guxim ta thonë? Për të protestuar për çmimet e larta duhet të thotë se çfarë qëndrimi ka ndaj oligarkëve”, tha Alibeaj.