Nga Ilir Yzeiri/

Ajo që ndodhi këtë të enjte në Bruksel nuk ishte vetëm një shfaqje e dëshpëruar e Europës, por, në shumë se kaq, ishte një shenjë që tregoi edhe njëherë se vendet që e përbëjnë Bashkimin e sotëm Europian, nuk përfaqësojnë në të vërtetë shpirtin europian, por janë më shumë një inerci e vendeve europiane që kanë akumuluar, për fat të keq, shumë lodhje dhe që veprojnë pa ndonjë strategji të qartë.

Bashkimi i sotëm europian paraqet krizën që kanë vendet kryesore të kontinentit. Britania u largua, Franca sapo zgjodhi një president liberalo-demokratik, por pa një mazhorancë të qëndrueshme. Komunistët dhe të djathtët e Le Penit që pëlqen Putinin bashkë me disa të tjerë kanë mazhorancën. Makron kështu është presidenti pa qeveri. Në Itali, një statist i shquar si Mario Dragi është zgjedhur të udhëheqë Italinë pa qenë pjesë e asnjë partie politike. Ai zgjidhi krizën e përfaqësimit dhe të identitetit politik të Italisë. Gjermania me kancelarin e ri Sholz po përpiqet të japë një pamje tjetër dhe kancelari i zgjedhur po shfaq grintën e duhur, por kjo nuk mjafton. Gjigandi i industrisë europiane nuk e shkund dot Europën në krizë.

Veçnërisht lufta në Ukrainë tregoi sesa e papërgatitur është Europa. 80% të armatimit në Ukrainë e kanë çuar SHBA-të, ndërsa Europa vijon të jetë e varur nga gazi rus, madje në një formë më të sofistikuar. Putini e ka pakësuar eksportin dhe ka rritur çmimin. Këtë rritje të çmimit po e vuan Europa dhe po e shijon Putini me kushtin që vuri për ta paguar me rubla. Në gjithë këtë katrahurë u përfshi edhe Shqipëria. Ajo dhe Maqedonia e Veriut prisnin që të çeleshin negociatat për anëtarësim, por liderët kryesorë të BE-së nuk e bindën Bullgarinë që të hiqte veton. Ajo që të lë një shije të hidhur është vlerësimi që na bëjnë burokratët europianë neve shqiptarëve. Kosovës nuk i heqin vizat, fatin e Shqipërisë e lidhin me Maqedoninë. Nga ana tjetër, retorika për hapje dhe për të mbështetur Ballkanin Perëndimor tani është bërë e neveritshme.

Kjo që po ndodh me shqiptarët nuk është as e para as e fundit. Për fat të keq, jemi të detyruar që të kthehemi në histori dhe aty jo për t’u bërë paranojakë, por për të kuptuar më mirë se burokratët e Europës kanë një frymëzim negativ ndaj nesh, se ata janë fëmijët e atyre europianëve që Shqipërinë dhe shqiptarët nuk i kanë fort për zemër. Paranoja mund të shtyhet larg dhe historia na çon deri ta fati i kryeheroit tonë, Gjergj Kastriotit që u la vetëm në më shumë se një rast ndaj turqve, megjithëse të gjithë e quanin Kalorës të Krishtërimit dhe madje edhe ai vetë në emër të këtij ideali bëri epopenë më të madhe në Mesjetë kundër Perandorisë më të egër të kohës.

Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, fati i Shqipërisë u braktis nga perëndimorët dhe u injorua. Vetëm SHBA-të kanë qenë konstantë në mbështetjen ndaj shqiptarëve. Atë frymë europiane që shqiptarët e kanë në gen si një nga kombet më të vjetra në këtë kontinent ne e gjejmë të miqtë me besnikë e më të mëdhenj që janë amerikanët. Është e paimagjinueshme që Kosovës nuk i heqin vizat dhe fatin e vendit tonë e lidhin me Maqedoninë dhe ne, në një farë mënyre, na lidhin me Bullgarinë. Është një cinizëm tipik europian.

Ndaj Edi Rama sot është treguar si një shqiptar i madh, si një lider i vërtetë dhe nervozizim i tij është përmbajtja jonë prej shqiptarësh që kemi treguar se në thelb jemi europianë të lindur. Gjuha e drejtpërdrejtë, stili dhe toni sarkastik ndonjëherë ishte i gjetur dhe dinjitoz. Nëse me « europian » kuptojmë lirinë, tolerancën e të gjitha ngjyrave: fetare, gjinore, etnike, kuptojmë respektin për të tjerët dhe mungesën e eskpansionit, atëherë cili komb tjetër i ka këto virtyte më të shquara se çfarë i kanë shqiptarët ? Ah, harrova. Ne kemi edhe një cen tjetër: jemi mjeshtra të autodestruksionit, të shkatërrimit të imazhit tonë dhe qaramanë të lodhshëm.