Teksa sfidat e Europës për Tiranën dhe Partizanin afrohen ka ardhur një lajm mjaft pozitiv për tifozët. UEFA ka pranuar kërkesën e klubeve që ndeshjet pritëse me kundërshtarët respektivë të zhvendosen nga Elbasan Arena në Air Albania.

Fillimisht u vendos që ndeshjet e kthimit të luheshin në Elbasan, por reagimi i ashpër i tifozëve si dhe presioni nga mediat detyruan shoqërinë që menazhon stadiumin ‘Air Albania’ të shtynte mbjelljen e barit në një moment tjetër. Për rrjedhojë klubet dërguan një kërkesë në UEFA për ndryshimin e stadiumit që është aprovuar tashmë.

Gëzimi ka qenë i madh te tifozët e Partizanit, të cilët ishin të parët që reaguan ashpër për degdisjen në Elbasan. Tani në faqen e klubit disa prej tyre shkruajnë: “kjo ishte lëvizja”, “shyqyr, duhet plot stadium”, ndërsa nuk mungojnë edhe komentet të tipit “na ka munguar Partizani”.

Më 12 korrik fillimisht Tirana pret Dudelange për turin e parë kualifikues të Champions League, ndërsa më 14 korrik Partizani luan me Saburtalo-n për turin e parë në Conference League. Pjesmarrja në raundin e parë i mundëson të sigurta Tiranës 550 mijë euro, ndërsa Partizanit 250 mijë euro.