Nga dita e nesërme, më 1 korrik do të nisë ndëshkimi me gjobë për operatorët ekonomike dhe qytetarët që mbajnë qese njëpërdorimëshe në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), Gazmend Osmani bëri të ditur se ndalimi i qeseve plastike njëpërdorimshme është në favor të mbrojtjes së mjedisit dhe një të ardhmeje më të mirë të fëmijëve tanë.

Zbatimi i ligjit do të kryhet nën një monitorim të rreptë të inspektorëve të ISHMT-së dhe nga nesër për shkelësit e ligjit do të aplikohen gjoba.

“Masa e gjobës shkon nga 500 mijë lekë, deri në 1.5 milionë lekë. Por ka edhe masa më të rënda se kaq për shkelësit. Në radhë të parë sekuestrimi i të gjithë mallit që do të gjendet sepse konsiderohet i paligjshëm. Nëse kjo përsëritet do të hiqet licenca e aktivitetit për shkelësit e ligjit”, shprehet Osmani.

Përgjatë gjithë muajit qershor ISHMT ka kryer inspektime në operatorë të ndryshëm të biznesit, duke i ndërgjegjësuar ata për ndalimin e mbajtjes së qeseve njëpërdorimëshe bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 367 datë 30.05.2022 “Për përcaktimin e masave të hollësishme dhe institucioneve përgjegjëse për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit, apo futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme”.

Operatorët ekonomikë ndalohen të përdorin ose ofrojnë qese plastike mbajtëse me përmasa më të vogla se 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi (pa përfshirë gjerësinë e palosjeve) me kapacitet mbajtës më të vogël se 10 kg, me trashësi nën 70 mikron.

Nga një vlerësim i bërë në kuadër të strategjisë kombëtare p[r menaxhimin e mbetjeve nga plastika dhe riciklimi, në vitin 2016 është vlerësuar se në Shqipëri përdoren 6 – 9 kg/person/vit artikuj plastike me një përdorim, kryesisht qese plastike mbajtëse. Duke vlerësuar peshën e një qeseje dhe faktin se vlera mesatare në Shqipëri është që një person përdor rreth 3 qese në ditë, vlerësohet se për një popullsi rezidente prej afërsisht 3 milion[ banorë, sasia e qeseve plastike është rreth 3.2 miliardë qese në një vit ose, afërsisht 26 280 tonë/vit.

Në kuadër të një projekti pilot “Menaxhimi i Mbetjeve Detare në Shqipëri” janë bërë matje sezonale në grykëderdhjet e dy prej lumenjve kryesorë të vendit (për nga numri i zonave të banuara dhe popullsisë që këta dy lumenj përshkojnë), lumenjtë Bunë dhe Ishëm. Nga vëzhgimi i këtyre dy lumenjve ka rezultuar se plastika në përgjithësi dhe qeset plastike, në veçanti, përbëjnë mbetjen kryesore që depozitohet në bregdet nëpërmjet rrjedhave lumore.

Si rezultat i vëzhgimit në një sipërfaqe prej 100 m2, në deltën e Bunës ka rezultuar se nga totali prej rreth 46 kg mbetje, që gjendeshin të depozitura, rreth 42.3 kg ishin mbetje plastike/polystyrene (kryesisht qese plastike mbajtëse).

Po të njëjtat të dhëna vijnë edhe nga matjet në deltën e Ishmit. Në një sipërfaqe prej 100 m2, nga totali prej rreth 84.5 kg mbetje, që gjenden të depozitura në Kepin e Rodonit, rreth 52,4 kg janë mbetje plastike/polystyrene (kryesisht qese plastike mbajtëse).

Këto të dhëna tregojnë se qeset plastike mbajtëse përbëjnë një prej ndotësve kryesore të mjedisit shqiptar, si në shtrirje territoriale ashtu dhe në sasi, duke treguar se masat për të gjetur një zgjidhje definitive janë sa të nevojshme, të justifikuara aq edhe emergjente.