Në portin e Durrësit kanë mbërritur sot makinat që do të marrin pjesë në panairin “Automotive Fair Albania”, që do të zhvillohet nga 17-19 qershor 2022 në Expocity, Tiranë.

Ky panair vjen për të gjithë pasionantët e botës automotive, shfaqja e modeleve dhe markave më të njohura të mjeteve në automotive Fair Albania, Expocity, Tiranë.

“Nga Porti i Durrësit drejt edicionit të parë të “Automotive Fair Albania organizuar për herë të parë në Shqipëri nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë”, shprehet Autoriteti Portual Durrës në një postim në rrjetet sociale.

Sipas APD-së, ky është takimi i shumëpritur për industrinë e rrotakëve një vitrinë rajonale për sipërmarrjet më novatore.

Ky panair do të zhvillohet në kuadër të rritjes së investimeve të huaja në industrinë e automobilizmit, krahas identifikimit të fushave të novacionit do të mundësohet dhe lidhja e praktikantëve dhe profesionistëve të rinj me subjektet pjesëmarrëse.

Rrjeti i operatorëve vendas e rajonalë, do të prezantojë produkte dhe shërbime të ofruara, ndërsa prezenca e ekspertëve ndërkombëtarë do të jetë një mundësi unike për shkëmbim përvojash, shikueshmëri, bashkëpunime të reja, si dhe një eksperiencë ndërkombëtarizimi që vjen në momentin e duhur.