Rusia pranoi të hapë portet në Detin e Zi për të mundësuar eksportin e grurit.

Lajmin e bëri të ditur ministria ruse e mbrojtjes e cila sqaroi se anijet me drithë të bllokuara, do të kenë mundësinë të largohen përmes korridoreve humanitare. Moska po ashtu është shprehur e gatshme të garantojë sigurinë e tyre.

“Rusia nuk do të përfitojë nga kriza humanitare në Ukrainë për qëllimet e “operacionit special ushtarak” – thuhet në njoftimin zyrtar.

Portet në Detin e Zi janë bllokuar për eksporte që nga fillimi i luftës në muajin shkurt. Vendet perëndimore shpesh herë kanë akuzuar Rusinë se po përdor grurin si “armë”, ndërsa ka pasur përpjekje diplomatike ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë.

Drejtuesit e Agjencisë së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë kanë paralajmëruar se pritet të ketë mungesë ushqimi, veçanërisht për vendet me kapacitet të ulët prodhues.

Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj të drithit dhe pamundësia e saj për të shitur të korrat ka çuar në rritjen e çmimeve globale të ushqimeve.