Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi këtë të premte dhe seancën e fundit stërvitore në kompleksin në Durrës përpara sfidës së parë të Ligës së Kombeve, atë me Islandën.

Lajmi i keq për teknikun Edi Reja është se sulmuesi Armando Broja do të mungojë, pasi ende nuk është rikuperuar.

Futbollisti ka rezultuar negativ në testin e fundit Covid-19 të bërë një ditë më parë dhe ka nisur stërvitjen në mënyrë individuale te Chelsea por kërkon akoma kohë që të jetë gati.

Megjithatë sipas departamentit të komunikimit pranë FSHF, talenti shqiptar do t’i bashkohet skuadrës pas kthimit nga Islanda dhe stafi teknik shpreson që ai të jetë në gjendje optimale për të luajtur në dy sfidat ndaj Izraelit dhe Estonisë.

Dhimbjet e kokës për trajnerin Italian nuk mbarojnë këtu pasi edhe Myrto Uzuni nuk ja ka dalë të jetë gati për sfidën e parë.

Sulmuesi ka zhvilluar stërvitje të diferencuar për shkak se vuan nga një dëmtim në kavilje dhe stafi mjekësor, ka vendosur që lojtari të qëndrojë në Shqipëri dhe të vijojë me rikuperimin.

Kësisoj, sulmuesi nuk do të jetë për ndeshjen e parë, ndërsa stafi shpreson ta ketë të gatshëm për sfidën me Izraelin.

Kombëtarja shqiptare do të luaj mbrëmjen e datës 6 qershor me Islandën dhe 4 ditë më vonë pret Izraelin në shtëpi.