Jean-Baptiste Le Bras, zëvendësdrejtor i Seksionit Politik i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, u shpreh sot se, Shqipëria ka vënë një theks të fortë dhe një përparësi politike sa i përket digjitalizimit, duke arritur rezultate konkrete.

Në fjalën e tij në Konferencën e Parë Kombëtare Antikorrupsion, Le Bras tha se, “ne si BE vëmë një theks të veçantë tek reformimi i administratës publike, sepse është pjesë e procesit të BE-së. Së bashku me sundimin e ligjit ne e shohim administratën publike si dy shtyllat kryesore të procesit të integrimit në BE. Kjo është pjesë e forcimit të sistemit të qeverisjes në përgjithësi”.

“Kur flasim për reformën në administratën publike ne nënkuptojmë disa gjëra, që është përmirësimi i cilësisë së administratës publike, llogaridhënien, rritjen e profesionalizmit, depolitizimin dhe gjithashtu edhe transparencën në marrjen në punë dhe në shkarkimin gjithashtu dhe menaxhimi transparent i financave publike. Të gjitha këto së bashku janë në fokusin tonë dhe objektivi duhet të jetë shërbime më të mira për qytetarët”, tha Le Bras.

“Digjitalizimi është një lehtësues i fuqishëm për të ofruar transparencë. Shumë vende e kanë bërë këtë përvojë dhe ka një potencial përmes digjitalizimit për të përparuar në eficiencën e llogaridhënies të administratës publike për të kontribuar më mirë në mjedise më miqësore për biznesin”, theksoi Le Bras.

Ai shtoi se, “digjitalizimi ndihmon gjithashtu edhe për të adresuar korrupsionin që i prek qytetarët çdo ditë dhe ul besimin në institucionet publike”.

“Shqipëria ka vënë një theks të fortë dhe një përparësi politike në vitet e fundit dhe ka rezultate konkrete për qytetarët dhe nuk ka dyshim për këtë. Jemi të kënaqur të shohim se qytetarët duket se e vlerësojnë këtë ndryshim, këtë rritje të shërbimeve online. Kjo ka qenë një gjë shumë e mirë gjatë kohës së COVID-it”.

I pyetur se sa ka ndihmuar BE në planet e integritetit të administratës publike, Le Bras tha se, “pa dyshim i kemi mbështetur këto plane prej një kohe të gjatë tashmë. Kjo është pjesë e përpjekjeve tona kundër korrupsionit. Disa prej tyre kanë të bëjnë me korrupsionin e nivelit të lartë. I është kushtuar vëmendje edhe në raportin tonë. Këtu ne presim historik të gjurmueshëm dhe të faktueshëm. Kjo pjesë e digjitalizimit që duhet të jetë në shërbim të gjithë objektivave të administratës publike dhe duhet të jetë në shërbim të një administrate publike më llogaridhënëse, më transparente që performon më mirë në shërbim të qytetarit”.

“Besojmë qartësisht që hapja e negociatave do të ofrojë nisma dhe iniciativa edhe më të fuqishme. Siç e dimë të gjithë, sapo kjo të ndodhë do të fillojmë punën me atë që quhet hartëzimin e reformës në administratën publike, ku shpresojmë të investojmë shumë, në mënyrë që këto reforma të zbatohen në vitet vijuese”, theksoi Le Bras.