Sot Kryeministri Rama u takua me Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach në kuadër të aktivitetit të zhvilluar për inaugurimin e zyrave të reja të KOKSH, në Parkun Olimpik. Gjatë ditës së sotme, u zhvilluan edhe një ceremoni pritjeje për Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Rama tha në fjalën e tij përshëndetëse se kjo është një ditë shumë e bukur për lëvizjen olimpike që po e rithemelojnë në të gjitha shkollat e vendit.

“Pasdite do të jenë dy finalet e para mes shkollave në volejboll, meshkuj dhe femra. Ajo që dua të nënvizoj, në bashkëpunim me KOKSH, qeveria do të mbështesë në vijimësi rritjen e kësaj lëvizje, krijimin e klasave dhe skuadrave në të gjitha shkollat e vendit, krijimin e kampionateve në nivel bashkie, në nivel qarku dhe në nivel kombëtar dhe fuqizimin dhe shtrirjen në mënyrë të vazhdueshme të rrjeteve sportive në të gjithë territorin për të bërë edhe ndërlidhjen më pas me lëvizjen olimpike në shkolla dhe atyre që merren me sport në nivel gjysëm profesionist dhe profesionist”, tha Kryeministri Rama.

Më tej, Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar i dhuroi një simbol të popullit shqiptar Kryeministrit.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka financuar së fundmi zyrat e reja të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, duke dhuruar 60 mijë dollarë për KOKSH, që të mbulonte koston e pajisjes së zyrave në ambientet e reja në Parkun Olimpik.