Kryeministri Rama mori pjesë sot në samitin e radhës së Ballkanit të Hapur, ku morën pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor, Presidenti i Serbisë, Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi dhe si vëzhgues edhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnie-Hercegovinës, dhe Komisioneri i BE-së Varhelyi dhe Ndihmës Sekretari i SHBA-së për Ballkanin.

Pas fjalës që mbajtën Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe Presidenti i Serbisë, Kryeministri Rama në deklaratën e tij, vuri theksin te fakti që tashmë duhet folur për Ballkanin e Hapur si në Ballkanin e Hapur, duke kërkuar që të flasin shumë hapur me njëri-tjetrin.

“Duhet ta ruajmë dhe ta fuqizojmë këtë karakteristikë të rajonit, pa pasur frikë se nga e folura hapur ne mund të kemi më shumë problem, se sa arsye për tu bashkuar. Ne mblidhemi sot për herë të parë në një samit të Ballkanit të Hapur pasi ka filluar lufta në Ukrainë, luftë që e bën këtë nismë një domosdoshmëri edhe më të madhe se ç’ishte përpara luftës,” deklaroi Rama.

Kryeministri Rama tha se shqiptarët e kanë mbështetur në masën mbi 60% Ballkanin e Hapur, duke shtuar se kjo shifër do të ishte më e lartë nëse do të ishte bërë para luftës në Ukrainë.

Rama shtoi se nuk e tregoi lufta në Ukrainë afërsinë mes Serbisë dhe Rusisë apo ndasitë mes Serbisë dhe Kosovës, duke theksuar se në vend që t’i kthejnë kurrizin të ardhmes, ata kanë zgjedhur t’i dalin përballë dhe të shohin problemet e pazgjidhura, të cilat zgjidhen vetëm nëse ata afrohen, kuptojnë më mirë sa të rëndësishëm janë për njëri-tjetrin.

Duke treguar për takimin me Ambasadorin Chris Hill, Rama tha se ai i kishte treguar se si Japonia me SHBA-në kanë një nga aleancat më të forta në botë, edhe pse SHBA ka hedhur dy bomba atomike në Japoni.

Përmes kësaj Kryeministri theksoi se historia duhet lënë pas, për të parë nga e ardhmja, duke dhënë edhe shembullin e Francës dhe Gjermanisë.

Më tej, Rama tha se Serbia në Ballkanin e Hapur ka marrë përsipër detyrime dhe reciprocitetin në atë që duam të ndërtojmë si një solidaritet për të ardhmen, duke kujtuar kontratat e grurit pas luftës në Ukrainë. Po ashtu, duke iu referuar krizës së energjisë, sërish Kryeministri Rama theksoi vlerën e bashkëpunimit në rajon për të përballuar të tilla momente.

“Ballkani i Hapur nuk është as i imi, as i Vucicit, as i Zaevit dje dhe Kovacevskit sot, as i Abazovicit, i askujt tjetër. Ballkani i Hapur është i njerëzve, i qytetarëve shqiptarë, i fermerëve shqiptarë”, deklaroi Kryeministri duke treguar rritjen e eksporteve mes vendeve të rajonit.