Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit me Serbinë për përdorimin e dokumenteve personale të qytetarëve serbë që hyjnë në Kosovë. Në të njëjtën kohë qeveria vendosi të kufizojë deri në fund të shtatorit përdorimin aktual të targave të makinave që hyjnë nga Serbia apo janë të regjistruara në Serbi dhe bartin simbolet e qyteteve. Ky vendim i qeverisë së Kosovës, nxiti reagimin e ashpër të Beogradit zyrtar. Autoritetet e Beogradit thanë se “vendimi i qeverisë së Kosovës është goditje ndaj serbëve të Kosovës”.

Në njoftimin e qeverisë së Kosovës thuhet se “çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikëkalimet kufitare me një fletë-deklarim që e zëvendëson përkohësisht përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”.

Autoritetet e Serbisë e zbatojnë një masë të tillë ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilëve nuk u njohin dokumentet e udhëtimit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përsa u përket automjeteve dhe targave, sipas vendimit të qeverisë së Kosovës, automjetet që kanë targa me shkurtesat e qyteteve të Kosovës e që janë lëshuar nga autoritetet serbe u është dhënë afat deri në shtator t’u mundësohet regjistrimi me shkurtesën e Kosovës RKS.

“Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 30.09.2022”, thuhet në njoftimin e qeverisë. Po ashtu thuhet se “automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri më 31.10.2022”.

Vuçiçi akuzoi Prishtinën dhe vendet e QUINT-tit

Këto vendime të qeverisë së Kosovës nxitën reagimin e menjëhershëm dhe të ashpër të Beogradit zyrtar. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Prishtina me këto vendime “synon të dëbojë serbët nga Kosova”. Ai akuzoi edhe vendet e QUINT-tit, ku bëjnë pjesë (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca e Italia) të cilat sipas tij, po i mbështesin vendimet e qeverisë së Kosovës.

Një rol të veҫatë në këtë mes sipas Vuҫiçit po luan “Gjermania dhe Britania e Madhe”, transmetoi B92. Reagimi i Presidentit serb erdhi menjëherë pas takimit që pati me të ngarkuarin e BE për dialogun Mirosllav Lajçak. Ky i fundit qëndroi në Beograd pas një vizite tre ditore që zhvilloi në Kosovë dhe ku u angazhua për vazhdim të dialogut me shpresën për një takim në korrik ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë.

“Unë e informova zotin Lajçak se për çfarë dua të flas dhe se dua të tregoj të vërtetën për gjithçka që po ndodh dhe se cilat janë qëllimet e fuqive perëndimore”, tha Vuçiçi, “Çfarë bisedimesh pas vendimeve të tilla? Nuk ka gjë prej tyre”, tha ai dhe i akuzoi autoritetet në Prishtinë se “po planifikojnë ndërhyrje në veriun e Kosovës më 1 tetor”.

“Kemi një ndryshim të plotë të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe në Serbi, e veçanërisht në Kosovë. Kosova dhe Perëndimi duan t’i bindin serbët që të regjistrohen me targat RKS”, reagoi i zemëruar Vuҫiçi./ DW