Për të krijuar idenë se janë të rëndësishëm dhe i përfillin edhe në botë, kur në fakt ata nuk i përfill njeri as në Shqipëri, Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë reaguar këtë të enjte, për vendimet e marra në Samitin e NATO-s.

“Vendimet e sotme historike të samitit të NATO në Madrid, e bënë Aleancën tonë më të bashkuar, më të vendosur, dhe të gatshme për t’iu kundërpërgjigjur rreziqeve më të mëdha e të drejtpërdrejta që na kanosen!

Vendeve mike, Suedisë e Finlandës, u urojmë mirëseardhjen në Aleancën që mbron sovranitetin, lirinë dhe demokracinë nga çdokush që synon t’i minojë ato.

Ne jemi NATO! Së bashku qëndrojmë më të forte”, thotë Ilir Meta në një reagim të tij.

Ky i fundit në fakt na ka mësuar me deklarata të tilla, pasi reagon për çdo zhvillim ndërkombëtar, edhe pse nuk ka lidhje fare me këto zhvillime.

Ndërsa Sali Berisha ka nxjerrë Aldon në konferencë për shtyp.

“Partia Demokratike përshëndet firmosjen e marrëveshjes tripalëshe mes Turqisë, Suedisë dhe Finlandës, që i hap rrugë antarësimit të dy vendeve nordike në NATO.

Me krenarinë dhe përgjegjësinë e qeverisjes që kurorëzoi anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e mbrojtjes kolektive më të sukseshme të globit, Partia Demokratike përshëndet zgjerimin e Aleancës drejt këtyre vendeve mike e demokratike, të rreshtuara qartë në anën e drejtë të historisë.

Fakti që Stokholmi dhe Helsinki i japin fund asnjanësisë së gjatë, është dëshmi e qartë se, pushtimi rus i Ukrainës është një kërcënim alarmues për të gjithë Europën dhe botën.

Si vend i Ballkanit, ku interesat dhe ndikimi rus janë rrezikshëm të pranishëm, Shqipëria duhet të jetë edhe më shumë e vëmendshme ndaj zhvillime të tilla.

Duke përshëndetur vendimin historik për zgjerimin dhe forcimin e NATO-s, dhe si vend anëtar, u urojmë mirëseardhjen Suedisë dhe Finlandës.

Partia Demokratike mbetet mbrojtëse e palëkundur e arkitekturës së sigurisë euro-atlantike dhe e vlerave të saj të patjetërsueshme”– deklaroi Aldo Bumçi.

Duan të duken me patjetër se janë pro-perëndimorë, edhe pse në fakt, njëri është shpallur “non grata” nga vendi kryesor i NATO-s dhe tjetri është në prag.