Super oferta nga drejtori sportiv i PSG, Luis Ocampos, për të marrë në Francë Milan Skriniar: PSG, sipas La Gazzetta dello Sport, duket se ka bërë gati një kontratë prej 7.7 milionë eurosh neto në sezon për të siguruar sllovakun.

Një propozim marramendës, që klubi zikaltër nuk do të ishte në gjendje ta barazonte. Ndër të tjera, klubi i Zhang e ka të domosdoshme shitjen e një ylli për të sistemuar bilancin.

Gjithçka varet tani nga dëshira e lojtarit, i cili nuk e ka shprehur akoma dëshirën për t’u larguar nga Inter-i, dhe që do të duhet të takohet me drejtuesit e klubit në ditët e ardhshme për të diskutuar për situatën e tij.

Ndërkohë, ditën e premte është arritur marrëveshja për Kristjan Asllanin, siç është konfirmuar edhe nga fjalët e menaxherit Elio Berti në përfundim të takimit me Inter-in:

“Jemi informuar se Empoli dhe Inter kanë arritur një marrëveshje, ka gatishmëri të plotë nga të gjitha palët. Të shohim çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme, jemi të gjithë të gëzuar. Skuadra të tjera? Çfarë ka më mirë se Inter-i?”.