Durrës, 17 Qershor – Hapen 29 qendra shëndetësore verore në zonat turistike, për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët që do të frekuentojnë Shqipërinë këtë sezon veror. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kanë inspektuar qendrën shëndetësore verore Currila, në Durrës, ku ka bërë të ditur hapjen e qendrave shëndetësore verore në pikat turistike bregdetare dhe malore në të gjithë vendin, me shërbim 24/7 për pushuesit, duke filluar nga data 15 qershor deri në 15 shtator.

“Janë 8 vite që qendrat shëndetësore verore nga veriu në jug, në bregdet, por edhe në zonat malore, ku gjithashtu numri dhe fluksi i turistëve dhe i pushuesve rritet, kemi mundësuar që përgjatë gjithë sezonit turistik, duke filluar nga qershori dhe deri në shtator, të garantojmë kujdesin shëndetësor, dhe që turisti apo pushuesi edhe qytetarët që banojnë në këto zona të mund të marrin një shërbim më të shpejtë, ne kemi vendosur që këto qendra të vijojmë t’i kemi të hapura përgjatë gjithë sezoni turistik. Shërbimi shëndetësor në qendrat shëndetësore verore është 24 orë. Ekipet janë të përgatitura sepse janë dhe të trajnuara nga stafi i Urgjencës Kombëtare. Dhe nuk janë pak, por janë mbi 160 mjekë dhe infermierë të atashuar që punojnë dhe do të punojnë përgjatë gjithë sezonit në qendrat shëndetësore verore”, tha Manastirliu.

Duke folur për masat për sezonin veror, Manastirliu tha se në zonat më të populluara me pushues, edhe spitalet do të jenë në gatishmëri të plotë.
“Kemi përforcime në zonat që janë edhe më të populluara që është Durrësi, Vlora, por edhe Lezha, edhe Shkodra gjithashtu, ne do të kemi dhe spitalet në gatishmëri. Nisur edhe nga numrat por edhe si projeksionet për pushuesit dhe turistët që pritet të vijnë në Shqipëri, ne edhe spitalet ti kemi në gatishmëri të plotë me stafe të përforcuara”, bëri me dije Manastirliu.
Duke folur për planin e përgjigjes në territor, Manastirliu tha se krahas qendrave shëndetësore verore, do të jenë dhe 14 postacione me autoambulanca, në rast se do të nevojiten transport i menjëhershëm.

“Janë edhe autoambulancat me shërbimin e urgjencës. Janë 14 postacione përgjatë gjithë vijës bregdetare që ne kemi vendosur pikat e autoambulancës, së bashku me qendrat shëndetësore, në mënyrë që në rastet kur ka një emergjencë jete, që kërkon transferimin në spital, të bëhet sa më shpejt. 127 vijon të jetë numri unik për të gjitha emergjencat shëndetësore”, tha Manastirliu.

Duke bëre me dije se këtë vit pritet një rritje e numrit të turistëve në vendin tonë, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha se duhet të informojmë sa më shumë turistët që këto qendra shëndetësore verore ekzistojnë, teksa foli për kontratat e nënshkruara me vrojtuesit e plazheve.
“Duhet ta bëjmë sa më të shpeshtë informimin që këto pika shërbimi shëndetësor ekzistojnë. E gjithë ideja është që vërtet të hapim dyert për një turizëm të shtuar, por nga ana tjetër të marrim dhe masat për sigurinë dhe në këtë drejtim, e kemi taksative që për të gjithë stacionet e plazhit dhe jo më larg se dje i kemi mbyllur më shumë se 558 kontrata per stacionet e plazhit, ku kontrata me vrojtuesin e plazhit është absolutisht e domosdoshme dhe ne do ta monitorojmë gjatë gjithë kohës”, tha Kumbaro.
Janë 29 QSH verore 24 orëshe të hapura në të gjithë vendin, nga veriu në jug, nga zonat turistike malore në bregedet përgjatë sezonit turistik veror gjatë periudhës 15 Qershor–15 Shtator. Në veri funksionojnë 8 qendra shëndetësore, nga të cilat katër janë në zonat turistike malore (Valbonë, Razëm, Tamarë dhe Theth) dhe katër të tjera në plazhet Velipojë, Rrjollë, dhe Shëngjin e Tale në Lezhë. Në Durrës funksionojnë 4 qendra shëndetësore, konkretisht në plazhet Gjiri i Lalzit, Currila, Plazhi i vjetër dhe Shkëmbi i Kavajës, ndërsa në Kavajë funksionojnë qendrat 24 orëshe në plazhet Golem dhe Mali i Robit. Në rajonin e jugut funksionojnë gjithsej 14 qendra shëndetësore verore, të cilat kanë vendndodhjen përkatësisht: Në Pogradec; në Lushnjë në plazhin e Divjakës; Në Fier në plazhin Darëzezës; Në Vlorë në katër plazhe, konkretisht në Zvërnec, Plazhi i vjetër Vlorë, Radhimë, Orikum. Në Bashkinë Himarë në 6 plazhe, konkretisht në: Palasë, Dhërmi; Drimadhes, Himarë, dhe Qeparo. Në Sarandë në plazhet Borsh, Ksamil i vjetër dhe Ksamil i Ri.