Ministrat e Shëndetësisë dhe Financave nga grupi G20 i ekonomive kryesore të botës ranë dakord të krijojnë një fond të përhershëm global për t’u përgatitur për pandemitë e ardhshme, njoftoi sot ministrja e Financave të Indonezisë, Sri Mulyani Indrawati.

Ministrat dhe zyrtarët e lartë u takuan në qytetin indonezian të Yogyakarta për të diskutuar detajet e Fondit Ndërmjetësues Financiar (FIF), i cili do të menaxhohet bashkërisht nga Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Themelimi i FIF është duke u finalizuar”, tha ministrja indoneziane e Financave, Indrawati në një konferencë për shtyp në fund të takimit.

“Besoj se bordi i Bankës Botërore do të mblidhet më 30 qershor. Deri në atë kohë, nëse fondi miratohet nga bordi, atëherë FIF do të fillojë të funksionojë”, tha ajo.

“SHBA-ja, Bashkimi Evropian, Indonezia, Gjermania, Singapori dhe fondacioni bamirës me bazë në Londër “Wellcome Trust” kanë premtuar kontribute që arrijnë në 1.1 miliardë dollarë”, tha Indrawati.

Singapori nuk është anëtar i G20, por ishte i ftuar si mysafir në takime.

“Ky është një hap i madh përpara në përpjekjen tonë kolektive për parandalimin dhe për një përgjigje më të mirë ndaj pandemisë”, tha Sri Mulyani në një fjalim në hapje të takimit.

“Ne kemi bërë një progres të madh”, tha ajo.