Edy Reja dhe të besuarit e tij kërkojnë të mbajnë të ndezur ambientin kuqezi, mbi të gjitha kërkojnë të qëndrojnë në garë për vendin e parë në Grupin B në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Ky është një objektiv i panegociueshëm, në mungesë të Rusisë, është një provë gjenerale për të vërtetuar se këta lojtarë, ky trajner, mund të dërgojnë sërish Shqipërinë në Evropian.

Në një grup me tre përfaqësuese, me shumë pak diferenca ndërmjet tyre, kuqezinjtë kërkojnë të fitojnë me çdo kusht ndeshjet në shtëpi, sfida si kjo kundër Izraelit në “Air Albania”. Me tifozët kuqezi në krahë ky nuk është një mision i pamundur, përkundrazi është një sfidë që Shqipëria mund dhe duhet të fitojë.

Me Izraelin që barazoi në sfidën e parë 2-2 në shtëpi kundër Islandës dhe pas barazimit në ishull mes Islandës dhe Shqipërisë, kuqezinjtë e Edy Reja-s kanë mundësinë ideale të marrin kreun e grupit, për të pritur më pas më të qetë sfidat e tjera në Ligën e Kombëve.

Me rikthimin e Brojës dhe Uzunit, apo pas leksionit që morën në Rekjavik, të gjithë besojnë dhe shpresojnë që përballë Izraelit do të dalim me pikë të plota, çdo përfundim tjetër këtë herë nuk mjafton.