FIFA ka vendosur që Botërori i vitit 2022 në Katar, i pari në histori që do të zhvillohet në dimër, të prezantojë të tjera risi të rëndësishme. Revolucioni më i rëndësishëm pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, ishte zgjerimi i kontingjentit të lojtarëve, që skuadrat do të kenë në dispozicion.

Nga 23 futbollistë, përfaqësueset pjesëmarrëse në Kupën e Botës do të grumbullojnë 26. Jo më pak i rëndësishëm edhe vendimi për listën provizore të ekipeve. Nga rregulli i 35 lojtarëve të gatshëm, numri rritet në 55 futbollistë që do të kenë ftesa dhe do t’i bashkohen skuadrave nëse do të jetë e nevojshme.

Modifikimi i këtyre kritereve lidhet me specifikat e veçanta të eventit në Katar. Duke nisur nga kushtet atmosferike, për të vijuar me faktin se Botërori 2022 do të zhvillohet në mes të sezonit. Gjithçka në një kohë kur kalendarët janë prej më tepër se një viti tejet të ngjeshur, prej situatës së krijuar nga pandemia.

FIFA ka vendosur gjithashtu që ndeshja e fundit në klube, për 26 lojtarët pjesëmarrës në fazën finale të Kupës së Botës, duhet të jetë më 13 nëntor 2022. Gjatë evenimentit, në stol nuk mund të qëndrojnë më tepër se 26 persona. Mes tyre, 15 do të jenë sportistë dhe 11 zyrtarë të stafit teknik, ku të paktën njëri duhet të jetë detyrimisht mjeku i skuadrës.