Edhe pse u shpall fituese, Ukraina nuk do të jetë në gjendje të presë Eurovision Song Contest në vitin 2023.

“The Independent” raporton se Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) ka zbuluar se tani po fillon “diskutimet me BBC” që Mbretëria e Bashkuar të presë festivalin europian në emër të Ukrainës.

Në një nga Eurovizionet më konkurruese në vitet e fundit, Ukraina fitoi festivalin pasi mori mbështetje të madhe me votat e publikut, ndërsa Britania e përfaqësuar nga Sam Ryder u rendit në vendin e dytë.

Pas fitores së Ukrainës, shumë ngritën pyetjen nëse vendi do të ishte në gjendje të organizonte ceremoninë e vitit të ardhshëm ndërsa pushtimi rus vazhdon ende.

Menjëherë më pas, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një postim në Facebook: “Guximi ynë i bën përshtypje botës, muzika jonë pushton Evropën! Vitin e ardhshëm Ukraina do të presë Eurovizionin! Për herë të tretë në historinë e saj. Dhe besoj – jo për herë të fundit.”

Sidoqoftë, bordi drejtues i Eurovizionit ka vendosur se: “Me keqardhje të thellë ka arritur në përfundimin se, duke pasur parasysh rrethanat aktuale, garancitë e sigurisë dhe operacionale që kërkohen për një transmetues për të organizuar dhe prodhuar Eurovision Song Contest sipas Rregullave të ESC nuk mund të përmbushen”.

EBU tha se fitorja e Ukrainës “do të reflektohet në shfaqjet e vitit të ardhshëm” pavarësisht se ku do të organizohet ngjarja. Pasi fituan Eurovisionin muajin e kaluar, grupi Kalush Orchestra, tha: “Faleminderit për mbështetjen e Ukrainës. Kjo fitore është për çdo ukrainas. Slava Ukraina.”/Panorama Plus