Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, mbrojtën në Bruksel nismën e Ballkanit të Hapur, duke thënë se është e vetmja zgjidhje për vendet e rajonit.

“Unë ndihem i privilegjuar për të punuar dhe nxitur këtë mekanizëm. Kjo paqe përfundimtare që kërkojmë do të vijë përmes Ballkanit të Hapur, nuk do të vijë përmes helikopterëve që fluturojnë në ajër apo përmes të bërtiturave në Facebook”, deklaroi Rama.

Nga ana tjetër, Presidenti serb tha se Ballkani mund të shndërrohet në një tjetër Ukrainë, nëse nuk zbatohet Ballkani i Hapur. “Thjesht hidhini një sy luftimeve në Ukrainë. Doni ta shihni sërish në Ballkan? Unë nuk dua? Prandaj mos e nënvlerësoni nismën tonë, sepse bashkon vendet”, tha ai.

Sa për Kosovën, Vuçiç shtoi: “I kemi ftuar me qindra herë të gjithë të tjerët. Sa herë që e bëjmë, e bëjmë për të përfituar të gjithë popujt e Ballkanit. Po bëhemi më të fortë sepse besuam tek ajo. Duhet të ruajmë paqen dhe qetësinë në rajon”.