“Automotive Fair Albania” është edicioni i parë i panairit të makinave në Shqipëri, me përmasa rajonale i cili u çel sot, si një takim i shumëpritur për industrinë automotive, një vitrinë rajonale për sipërmarrjet më novatore në trojet shqipfolëse. Ky panair organizohet për herë të parë në Shqipëri nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor – Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në panair ekspozojnë produketet e tyre 50 pjesëmarrës, të cilët janë prodhues pjesësh automotive, koncesionare të mjeteve elektrike, sipërmarrës të rinj, prodhues aksesorësh, inovatorë, shpikës aplikacionesh mobile, të gjitha të lidhura me sektorin automotiv, duke krijuar kështu një mundësi unike për shkëmbim eksperiencash, shikueshmëri, networking dhe bashkëpunime të reja, si dhe një eksperiencë ndërkombëtarizimi.

Panairin e vizitoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën përshëndetëse u shpreh:

“Dua të falenderoj në radhë të parë Edonën, Ministren tonë të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, e cila e mori përsipër këtë nismë dhe së bashku me Blendi Gonxhen, drejtorin e DPSHTRR, [edhe ato shumë “rr” janë aty si ato lëvizjet e makinës kur ndizet], sepse bashkëpunimi me Blendin ka qenë kyç, ashtu sikundër falenderoj përzemërsisht edhe miqtë që janë këtu të pranishëm nga Maqedonia e Veriut, nga Kosova, nga Lugina e Preshevës dhe nga vende të tjera, për kontributin e tyre.

Është një panair shumë i veçantë, i pari i këtij lloji në vendin tonë, ku ekspozohen gjëra shumë tërheqëse, por ku gjen hapësirë dhe një industri e cila po rritet dhe tek e cila ne besojmë dhe duam të shtyjmë edhe më shumë në të ardhmen e afërt, në mënyrë që të krijojmë edhe më shumë hapësira dhe vende pune cilësore.

Në fund fare dëshiroj që të përfitoj nga rasti për ata që na ndjekin, t’i ftoj që të vijnë ta vizitojnë këtë hapësirë ku ka shumë mundësi për të kënaqur fëmijët, për të kënaqur të gjithë fëmijët e të gjitha moshave, e natyrisht për të kaluar disa orë krejt ndryshe në një Tiranë që është gjithnjë e më e pasur me aktivitet, por ku ky aktivitet ka një profil shumë të veçantë.

Në ndërkohë që ne do të vazhdojmë me këmbëngulje punën për autoparkun e madh të Elbasanit, në një sipërfaqe shumë herë më të madhe se sa sipërfaqja ku zhvillohet panairi e ku shpresojmë që ëndrra për të parë deri edhe një garë të Formula 1, natyrisht jo në të ardhmen e afërt, por sidoqoftë në një të ardhme të arritshme, na frymëzon dhe na jep besim që të shkojmë përpara. Askujt nuk ia kishte marrë mendja dot edhe në imagjinatën më entuziaste se do kishim në Tiranë një finale europiane në futboll dhe e patëm. Po kështu besoj që nuk kemi pse të trembemi nga një ëndërr tjetër si kjo, e sjelljes së garave automobilistike në Shqipëri dhe të arritjes dhe deri tek një garë e Formula 1, në një pistë e cila do t’i ketë të gjithë parametrat sepse është një projekt i bërë në bashkëpunim të ngushtë me FIA, me federatën e cila mbulon edhe Formula 1.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe shijojeni këtë ekspozitë, këtë panair, këtë hapësirë, që u bë e mundur, siç thashë, falë ministres tonë të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, falë ministres sonë për Infrastrukturën dhe Energjinë dhe falë Blendi Gonxhes i cili duke sikur gabimisht ka lindur mbi dy këmbë sepse duhet të kishte lindur mbi katër rrota. Faleminderit!