Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield uroi Shqipërinë për marrjen e Presidencës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në qershor, gjatë një takimi në Nju Jork, me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë ndau sot përmes rrjeteve sociale foto nga ky takim, ndërsa përcolli edhe mesazhin e ambasadores Thomas-Greenfield.

“Ka ende shumë punë përpara nesh dhe mirëpres që t’ia kaloj stafetën e OKB-së Shqipërisë, teksa ajo merr Presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për muajin qershor”, tha Ambasadorja Thomas-Greenfield.

Shqipëria merr sot Presidencën në Këshillin e Sigurimit të OKB, të cilën do ta mbajë për periudhën 1 – 30 qershor 2022.

Kjo është hera e parë që Shqipëria mban presidencën e KS gjatë mandatit të saj dyvjeçar në Këshill. Vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë presidencën pak muaj përpara përfundimit të mandatit, në tetor 2023.

Programi i punës i kësaj presidence ndërlidh më së miri përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, siç është lufta në Ukrainë.

Gjatë muajit maj presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte SHBA-ja.