Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka shpërndarë sot në rrjetet sociale disa informacione të reja të rëndësishme mbi urën që do të ndërtohet mbi Bunë e që do të lidhë në një distancë mjaft të shkurtër Shqipërinë me Malin e Zi. Sipas Abazoviç, ura do të lidhë 34 km plazhe me rërë, të cilat vizitohen nga rreth 530,000 turistë në vit.

“Informacion i ri për urën në Bojana. Gjatësia totale e urës do të jetë 310 m dhe diapazoni midis dy shtyllave mbështetëse do të jetë 139 metra. Ura do të jetë 17 metër e gjerë, do të ketë dy korsi trafiku nga 3.75 m secila, dy trotuare nga 2 metër secili dhe dy korsi për biçikleta nga 1.25 metër secila. Ura do të lidhë 34 km plazhe me rërë, të cilat vizitohen nga rreth 530,000 turistë në vit. Distanca aktuale ndërmjet Ulqinit dhe Velipojës është 73 km, ndërsa me ndërtimin e urës do të reduktohet në vetëm 1 km. Data e planifikuar e përfundimit të punimeve është gusht 2024. Bëjmë njerëzit bashkë! Po e bëjmë ekonominë të fortë! Ne po ndërtojmë Malin e Zi”, ka shkruar Avazoviç.

Një urë që pritet të përfundojë për 18 muaj do të shkurtojë distancën mes Velipojës dhe Ulqinit. Projekti u prezantua më 8 qershor në Ohër nga kryeministri Rama dhe homologu i tij malazez, Dritan Abazoviç. Projekti ambicioz do të kushtojë 9 mln euro.

Plani i Shqipërisë dhe Malit të Zi është që, deri në vitin 2024, së bashku të ndërtojnë një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin – komunën më jugore të Malit të Zi dhe vendpushimin e Velipojës në Shqipëri. Ndërtimi i urës mbi Bunë dhe lidhja e dy qendrave të mëdha turistike, do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për Ulqinin dhe për zhvillimin e turizmit.

Përveç shkurtimit të ndjeshëm të rrugës mes brigjeve të dy vendeve, do të bëhet edhe afrimi afrimin e tregjeve turistike të Shqipërisë, Greqisë, Kosovës dhe më gjerë.

Gjatë prezantimit të projektit të përbashkët në Ohër, kryeministri Dritan Abazoviç tha se Mali i Zi në buxhetin e këtij viti ka ndarë tre milionë e gjysmë euro për ndërtimin e urës. Ai pret që në fillim të shtatorit të nënshkruhet një Memorandum bashkëpunimi me Shqipërinë, i cili do të specifikonte detyrimet e të dyja palëve.

“Ura është e rëndësishme, jo vetëm për shkak të reduktimit të rrugës që lidh dy qytetet dhe dy vendet, por edhe sepse kjo zonë ka potencialin si një atraksion turistik”, tha Abazoviç.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, theksoi nevojën për të specifikuar buxhetin për këtë investim dhe për të arritur një marrëveshje në përputhje me të.

“Ne jemi për. Edhe projekti është fantastik”, tha ai.

Rama theksoi, gjithashtu, se Shqipëria tashmë po ndërton një rrugë që lidh Velipojën me qytetin e Shëngjinit në jug të Shqipërisë.