Në një deklaratë ditën e sotme, në 100 ditë të luftës Rusi-Ukrainë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia do të vazhdojë operacionin e saj ushtarak në Ukrainë derisa të arrijë të gjitha qëllimet, shkruan The Guardian.

“Një nga qëllimet kryesore të operacionit është mbrojtja e njerëzve në Republikën Popullore të Donestkut dhe Luhanskut, Janë marrë masa për të siguruar mbrojtjen e tyre dhe janë arritur rezultate pozitive,” tha ai, duke iu referuar dy rajoneve separatiste të Ukrainës të kontrolluara nga separatistët pro-rusë.

Ai foli edhe për takimin mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe kryetarit të Bashkimit Afrikan, presidentit të Senegalit, Macky Sall gjatë ditës së sotme.

Vizita e Sall dhe presidentit të Komisionit të Bashkimit Afrikan në Rusi është planifikuar “mes përpjekjeve të vazhdueshme të presidencës për të kontribuar në de-përshkallëzimin e luftës në Ukrainë, dhe në eskportin e rezervave të drithërave dhe plehrave, bllokimi i të cilave ndikon veçanërisht vendet afrikane”, thuhet në një deklaratë të zyrës së Sall.

Agjenda e takimit do të përfshijë “shqetësimin e thellë të kontinentit afrikan për krizën në rritje të ushqimeve dhe mungesën e plehrave”, tha Peskov. Ai shtoi se Putini do t’i japë presidentit Sengalez një shpjegim të asaj që po ndodh realisht me grurin ukrainas.

Tema e grurit ukrainas do të jetë gjithashtu një nga temat kryesore që ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, do të diskutojë kur të vizitojë Turqinë javën e ardhshme, tha Kremlini.