Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Jill Biden takoi të shtunën një grup nënash dhe mësuesesh refugjate ukrainase në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, duke i vlerësuar ato për forcën dhe qëndrueshmërinë e tyre.

Disa nga gratë që ajo takoi në Rumani, gjetën mënyra për të krijuar mekanizma për të ndihmuar refugjatët e tjerë, duke ngritur një kopsht fëmijësh dhe duke hapur disa klasa për fëmijët ukrainas në Bukuresht me ndihmën e OJQ-ve lokale, vullnetarëve dhe zyrtarëve.

Zonja e Parë Biden, e cila është profesore pranë Uashingtonit, në Virxhinia, po viziton Rumaninë dhe Sllovakinë për të takuar ushtarët amerikanë të dislokuar në këto vende dhe refugjatët.

Gruaja e Presidentit Joe Biden shoqërohej në Rumani nga zonja e parë e vendit Carmen Iohannis, e cila është gjithashtu mësuese.