Pavarësisht zhurmës së krijuar për të strukturuar 22 majin si zhvillimin më të rëndësishëm politik të muajit, pra ditën që Sali Berisha do të ribëhet kryetar partie, 16 maji-raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit të Republikës, do të vulosë prioritetin politik në publik.

Madje me zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, vendi hyn në një stinë të re, që sipas gjasave do të eklipsojë jo vetëm 22 majin, por edhe 25 korrikun, ditën e lënies së detyrës nga Ilir Meta.

E këtu sigurisht që ka edhe një kleçkë në vete se si do të zhvillohet dhe a do të zhvillohet një ceremoni dorëzimi stafete nga kontrolli i shtetit, apo do t’i kërkohet presidentit në largim që thjeshtë të lirojë ambjentet në një orë të caktuar.

Por gjithsesi, më shumë sesa ceremonia e dorëzimit, lajm do të jetë Presidenti i ri, emri, procesi, e natyrisht fjala e prioritetet që ai do të sjellë në selinë numër një të shtetit. E më pas stafi, lëvizjet, zhvillimet e reja diplomatike kundrejt Presidentit të ri të Republikës, vendimet e para të tij për reformën në drejtësi etj etj.

Tradicionalisht gjithmonë zgjedhja e Presidentit të ri ka qenë zhvillim i ri politik në vend që ka krijuar një situatë të re në fushë. Përveç rastit të rizgjedhjes së Sali Berishës në 1997-n, për të cilin dihej që do të zgjidhej edhe kundër vullnetit të qytetarëve, të cilët kishin dalë në rrugë kudnër tij, apo edhe zgjedhjes së Rexhep Meidanit po në vitin 1997, pasi pak orë pas zgjedhjes së tij u zgjodh edhe qeveria e re e Fatos Nanos, duke marrë me vete të gjithë vëmendjen e një zhvillimi të rëndësishëm.

Në 2002, zgjedhja e Alfred Moisiut krijoi një situatë të re politike në vend, që çoi në një ringjallje të opozitës së larguar në 1997-n, zgjedhja e Bamir Topit në 2007-n, i cili mori vota nga e majta duke ndaluar zgjedhjet e parakohshme krijoi gjithashtu një klimë të re. Një klimë që u kthye në provë të Sali Berishës për të rrespektuar rendin e ligjin, si dhe institucionet e pavarura, pra shtetin. Berisha zgjodhi pushtetin përpara shtetit, e kështu hyri në konflikt me presidentin Bamir Topi e Kryeprokuroren Ina Rama, duke ndryshuar ligjin për prokurorinë, SHISH, e të gjitha emërimet e tjera në gjyqësor.

Me këtë logjikë, Sali Berisha në 2012 zgjodhi Bujar Nishanin, zgjedhja e të cilit solli një panoramë me dy anë: përkuljen ndaj pushtetit të Sali berishës, duke ndryshuar përnjeherë të gjithë krerët e institucioneve të pavarura, dhe pas ardhjes së PS-së në qeveri në 2013, një pafuqi totale të kreut të shtetit. Siç më pas zgjedhja e Ilir Metës e bëri Presidencën një ishull i shpallur i padëshirueshëm nga partnerët strategjikë.

E në këtë pikë, zgjedhja e presidentit të ri do të krijojë një frymë, e situatë të re, që do të lerë realisht nën hije një politikë që kërkon të bëhet alternative, pra diça ndryshe nga panorama që ofron Rama me anë të zhurmës.

Zgjedhja e Sali Berishës me 22 mars nuk ofron asgjë të re, thjesht atë që dihej(por mbështetësit e tij e vizatuan si një ndryshim politik) krijimin e partisë së tij. Që është një parti për tu mbrojtur nga SHBA e BE. Risia në këtë aspekt është se pritej të krijohej një parti e përbashkët e Sali Berishës dhe Ilir Metës, por sipas gjasave, doktori po lë pak hapësirë për presidentin në largim në partinë e tij.

Gjasat janë që thjesht Meta të rikthehet në kreun e LSI-së, por kjo nuk përbën asnjë risi. Pritshmëritë ishin pak më ndryshe, pasi vetë Monika Kryemadhi ka deklaruar se LSI është e vogël për Ilir Metën. Edhe nëse krijohet aleanca e përbashkët nën simbolin e “Shtëpisë së Lirisë”, siç dhe pritet, sërish nuk është e njëjta gjë. Ndërkaq, pëlqyeshmëria, apo simpatia e militantëve radikalë të opozitës për Ilir Metën nuk se kishin të bënte shumë me personin e tij, por me funksionin dhe mudnësitë që ai kishte në Presidencë për të penguar apo ndaluar Edi Ramën.

Meta, jo vetëm që nuk e ndaloi madje i dha mandatin e tretë, por tani thjesht do të “hyjë në hisen” e opozitës radikale, e cila gjithsesi ka nuk ka shumë hapësirë. Berisha në organin drejtues të partisë së tij e ngushtoi shumë rrezen e njerëzve, pikërisht sepse nuk ka shumë “bukë në magje”. Duke mos qenë President, Ilir Meta do të jetë thjesht një politikan që e shan Edi Ramën më shumë.

Ndoshta ka motiv të fortë për ta kudnërshtuar e sulmuar, por kjo nuk se mjafton për mbështetësit. Sa për reagim reaktiv militantët e Berishës kanë me shumicë, atyre i duhet një reagim efektiv. Që Meta nuk se ka mundësinë ta kryejë, edhe pse premton për “luftë ndaj mafies ndërkombëtare”. Lufta siç po e shohim sot, fitohet jo thjesht duke pasur armë, por aleatë të fortë e të shumtë. Të cilët Ilir Meta, siç Sali Berisha nuk i ka.

Llastimi i Evi Kokalarit apo ndonjë axhamie që vjen nga Uashingtoni u bë pikërisht për të kompensuar vetminë e madhe të doktorit, e Meta në këtë rast thjesht këtë vetmi mund ta rrisë në valencë; ta bëjë vetmi në fuqi të dytë. Ndaj që do të jenë interesante relacionet brenda oborrit të opozitës “radikale” dyshe në Shqipëri pas 2 korrikut, veçse sipas gjasave do të jenë pjesë periferike e politikës gjithnjë e më shumë…/TemA