Ylli Pata

Pas zgjedhjeve të 25 prillit, përveç mandatit të tretë të Edi Ramës, pati edhe një zhvillim tjetër të rëndësishëm politik. Disfata e rëndë e LSI-së së Ilir Metës, e cila arriti të marrë vetëm 4 deputetë, të cilat nuk ishin fare të rëndësishëm sap o kaq në vitin 2009, sa realisht kjo forcë politike e ka humbur jo vetëm rolin e “kingmakerit” por edhe të influencës politike.

Ndaj, fjalëkryqi tjetër ishte për të matur fuqinë e Sali Berishës brenda PD-së, e cila kishte arritur të rriste numrin e deputetëve, duke kthyer në shtëpi 250 mijë votat e famshme që fluturuan si me magji te partia e Metës në vitin 2017.

Më 19 maj të vitit të shkuar, në mëngjes heret, Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, lajmëroi në twitter, se sapo kishte shpallur ish-Presidentin dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha dhe familjen e tij të ngushtë: Bashkëshorten, djalin, vajzën dhe dhëndrin: “Non Grata” për “korrupsion domethënës, minim të demokracisë dhe pengim të drejtësisë”.

Pas twitterit të Sekretarit Blinken ka mbërritur edhe njoftimi i hollësishëm i zyrës së shtypit të DASH.

Edhe pse që në administratën Trump, DASH kishte pasur një bllokadë për familjen Berisha që të vizitojnë SHBA, ai bllokim, duket se ishte masa hierarkike para vendimit të fortë në bazë të ligjit 7031 C.

Ai vendim i qeverisë amerikane shkaktoi natyrisht një shock politik në Shqipëri, e në radhë të parë tek opozita shqiptare, e cila e kishte pasur Sali Berishën lider të saj për 30 vjet.

Lulzim Basha, kryetar i PD-së, ka dhënë një deklaratë zyrtare për vendimin e qeverisë amerikane, ku edhe pse shpreh keqardhjen për vendimin, bëri të ditur se PD do të mbështesë partneritetin me SHBA.

“Vendimi i Sekretarit të Shtetit nuk cënon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet absolut kombëtar.

Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dobi të demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mirëqenies së Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, deklaroi Lulzim Basha.

Por Sali Berisha nuk e pranoi këtë qëndrim dhe shpalli se ai do të rikthehet në politikë aktive duke bërë të ditur se ishte gati të “marrë çdo post kushtetues në vend’.

Pra si efekt të parë, vendimi i SHBA bëri të ditur se ka dy qëndrime në PD, por edhe rrëzoi maskën e “tërheqjes” së Sali Berishës nga politika. Berisha, i kërkoi zyrtarisht Lulzim Bashës ta mbështesë në betejën e tij me SHBA që e quajti për “dinjitetin”, ku shpalli se do të hedhë në gjyq Sekretarin Blinken në një gjykatë të Parisit. Deklaratë që u duk absurde, e cila rezultoi edhe sot e kësaj dite që ishte thjesht një mjergull momentale propagandistike.

Më pas SHBA i kërkoi PD-së që të distancohet nga Sali Berisha, pasi përndryshe nuk do të ketë mbështetjen e Uashingtonit. Mbahet mend deklarata e famshme e ambasadores Yuri Kim në oborrin e selisë së PD-së.

“Patëm një diskutim shumë të mirë me Bashën sot, ishte në vijim të takimit që kemi pasur kur Reeker ishte në Tiranë. Folën për forcën e marrëdhënieve Shqipëri dhe SHBA, për rolin e rëndësishëm që PD ka luajtur në vendosjen e marrëdhënieve me SHBA dhe rëndësinë që vendi të qëndrojë në shtegun drejt BE. Është e padyshimtë fakti që roli që PD ka luajtur është i domosdoshëm dhe po aq mirë që PD do kthehet në shtator. Kuptojmë që PD dhe të tjerë kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet, por që janë shqyrtuar në raportin e OSBE.

Do të jetë tejet e rëndësishme që kjo gjë të bëhet në mënyrë domethënevse dhe ne do të mbështesim përpjekjet për demokracinë. PD do të rikthehet në Kuvend e rëndësishme që PS të mund të ngrihet mbi interesat e saj partiake, përgjegjësia që liderët e partive politike kanë të shoqërohen nga deputetë që meritojnë përfaqësimin e Shqipërisë. PD të mendoj për këtë çështje. PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi. Ironike që një parti të hante bar për hatër të një deputeti të saj”, tha ambasaorja Yuri Kim më 30 korrik, në vigjilje të mbylljes së sezonit politik e nisjes së pushimeve të gushtit.

Tashmë dihen hapat e tjerë” Basha përjashton Sali Berishën nga grupi i PD-së, ky i fundit nisi luftën ndaj Bashës, por që në të vërtetë ishte luftë me SHBA për të sfiduar Uashingtonin se ai edhe pse u ndëshkua, ka mbështetje në vend.

Por natyrisht ky ishte vetëm objektiv i Sali Berishës, e jo një realitet faktik, edhe pse për 8 muaj po harxhohet shumë energji për të treguar të kundërtën.

“Non Grata” e Sali Berishës, ka qenë një katalizator politik eksploziv jo vetëm për opozitën por për të gjithë politikën shqiptare. E para ajo ka nisur një proces, që ka gjasa të jetë nisja e një orteku politik për largimin e kastës së vjetër, duke ndikuar për efektin domino.

Së dyti, ka hapur një process të madh politik, duke goditur statusquonë e vjetër brenda opozitës. Proces që sipas të gjitha gjasave nuk do të ndodhte vetëvetiu. Siç nuk ndodhi; pasi Lulzim Basha u rizgjodh sërish kryetar, rinovoi rizgjodhi Këshillin Kombëtar duke mbledhur Kuvendin dhe rifreskoi kryesinë e PD-së. të gjtiha këto veprime u mbështetën nga Berisha, i cili mendonte se duke pasur njerëz të rëndësishëm brenda partisë do ta bllokonte Bashën dhe ndikonte të merrte vendimet që kërkonte ai.

Por Lulzim basha nuk kishte zgjidhje tjetër: Ose me Berishën, ose kundër tij, e ai zgjodhi këtë të dytën. Duke krijuar realisht shanset dhe shkëndijat për një process evolutiv në politikën shqiptare. Në PD sot kemi dy deri në tre grupe të ndryshme, ku më shumë janë ata që duan një opozitë pa Berishën dhe me SHBA dhe më pak janë ata që duan një opozitë me Berishën dhe kundër SHBA.

Procesi i zgjedhjes së presidentit të ri, do të kompletojë realisht skenën e ndryshuar, kur Ilir Meta të zbresë në fushën e lojës. Natyrisht krejt ndryshe si e kishte menduar që atë do ta priste “Populli i 2 Marsit”, pra një grupim i opozitës që ndihej i mërzitur nga Lulzim Basha.

Sot, ky grupim është me Sali Berishën në një formacion realisht të vogël, që sipas gjasave nuk ka vend të lirë për aktorë të tjerë. Megjithatë duhet pritur, pasi efektet e Non Grata-s janë në dinamizëm e sipër, e ku mund të kenë zhvillime edhe të tjera, ndoshta edhe aq eksplozve sa një vit më parë, madje më shumë…