Juventus ka mundur 2-1 Venezia-n në javën e 35-të të kampionatit dhe ka hipotekuar vendin e katërt në renditje, që vlen edhe kualifikimin në edicionin e ardhshëm të Champions League.

Siç e tregon edhe rezultati, ka qenë një fitore e vuajtur për Zonjën e Vjetër. Një fitore që ka patur një protagonist të vetëm, Leonardo Bonucci-n.

JUVENTUS-VENEZIA VIDEO

Mbrojtësi veteran, i cili ka mbushur 35 vjeç ditën e sotme, ka qenë autori i dy golave që i kanë dhuruar tri pikët skuadrës së Massimiliano Allegri-t.

Pesë gola për  Bonucci-n në këtë sezon të Serisë A, një rekord i ri personal në një sezon të vetëm të kategorisë kryesore të futbollit italian.

Venezia, që lufton për mbijetesë, ka arritur të rihapë ndeshjen në minutën e 71-të me një gol shumë të bukur të Aramu, por qendërmbrojtësi i Juventus-it ka shuar shpresat e miqve për të marrë pikë në Torino pesë minuta më mbrapa.