Massimo Moratti, ish-presidenti i Inter-it, ka dhënë mendimin e tij në lidhje me luftën për titull me Milan-in, pas fitores së zikaltërve në San Siro kundër Empoli-t.

Ish-numri një i zikaltërve ka bërë shaka edhe në lidhje me një mbyllje të mundshme të rrethit nga ana e Giovanni Simeone-s, që të dielën në mbrëmje do të përballet me Verona-n e tij kundër kuqezinjve.

“Tani është koha e besëtytnisë dhe pritjes, presim Milanin-in me shpresën që të bëjë një hap fals. Kam besim, siç kam patur besim që nga dita e parë e sezonit, siç ka besim çdo interist”, ka thënë Moratti në një intervistë të dhënë për L’Interista.

“Kemi treguar se kemi karakter për ta bërë, për të provuar ta fitojmë këtë titull. Cholito do të na kthejë mbrapsht atë që na hoqi Cholo në 2002-shin? E bukur kjo, me të vërtetë.

“Mund të jetë zgjidhja ideale për ta mbyllur rrethin dhe për të kthyer miqësinë me të madhin Cholo. Shpresoj që të shkojë kështu. Bëj shaka, do të jemi gjithmonë miq me të, edhe pse disa gjëra është e vështirë t’i harrosh, edhe pas shumë vitesh”.

Diego Pablo Simeone ka qenë pjesë e skuadrës së Lazio-s që mundi Inter-in 5 majin e 2002-shit në javën e fundit të Serisë A. Një humbje që i kushtoi titullin zikaltërve dhe një nga golashënuesit e asaj fitoreje 4-2 të bardhekaltërve ka qenë pikërisht Cholo Simeone.