Ambasadori i BE-së në Shkup, David Gere tha të enjten se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian pasi interesi strategjik i unionit është që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE.
“Ne jemi absolutisht të vendosur të ecim përpara. E dimë se është në interes strategjik të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që këto vende të anëtarësohen në Union dhe presim që procesi të vazhdojë dhe ta shohim Maqedoninë e Veriut në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi ambasadori Gere.

I pyetur nëse propozimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron për unionin e ri politik paraqet zëvendësim në rast të dështimit të mundshëm të procesit të zgjerimit, Gere tha se qëndrimi i presidentit Macron dhe presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel është i qartë, se proceset e anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor mbeten çështje kryesore.

“Nuk ka ndryshime në procesin e zgjerimit dhe e vetmja rrugë është zgjerimi në Ballkanin Perëndimor. Është një prioritet absolut dhe një rrugë e bazuar në reforma. Kështu që unë nuk e shoh këtë si një ndikim në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE”, ka deklaruar ambasadori i BE-së në Shkup, David Gere.

Ai tha se BE-ja dëshiron fillimin sa më të shpejtë të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe se inkurajojnë të gjitha përpjekjet për arritjen e këtij qëllimi.

Nisja e bisedimet kundërshtohet nga Sofja e cila në nëntor të vitit 2020 vendosi veto për shkak të kontestit lidhur me gjuhën dhe identitetin maqedonas si dhe të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.

Lidhur me këtë kontestit, më 18 maj, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, vendi i të cilit me 30 qershor përfundon kryesimin me BE-në. Përveç me Kovaçevskin, presidenti francez Macron ka biseduar edhe me presidentin bullgar, Rumen Radev dhe kryeministrin, Kiril Petkov.

“Presidenti i Republikës Franceze kujtoi përkushtimin e tij ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin e destabilizimit që po kalon kontinenti evropian”, thuhet në një deklaratë të pallatit Elize.

Ndërkohë, kryeministri Kovaçevski ka thënë se gjatë bisedës me presidentin e Francës kanë rënë dakord se nuk ka kohë për të humbur dhe se vonesat e mëtejshme për fillimin e negociatave të anëtarësimit të vendit në BE mund të ketë pasoja të rënda rajonale dhe rrisin ndikimin e palëve të treta në rajon.