Rusia ka paralajmëruar se oferta e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n do të çonte në militarizimin e rajonit dhe se Moska do të përgjigjet nëse NATO do të vendoste armë bërthamore pranë kufijve të saj.

Zëvendësministri i Jashtëm Alexander Grushko tha se Rusia e di se NATO dëshiron të “militarizojë gjithçka që mundet”, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax, ndërsa një tjetër gazetë ruse, RIA, e citoi atë të thoshte se zgjerimi i propozuar i NATO-s do të shkaktonte një reagim politik nga Rusia.

Ai reagim do të bazohej jo në emocione, por në një analizë të plotë të situatës, tha ai, raporton BBC.

Suedia dhe Finlanda do të marrin pjesë në një takim të NATO-s sot si të ftuar, ndërsa pritet që të aplikojnë në ditët e ardhshme.

Kremlini ka kërcënuar me përgjigjeje ndaj një aplikimi të tillë, por ka qenë i paqartë se si do të jetë saktësisht.