Sot në orën 21:00 është finalja Europiane e Conference League. Roma-Feyenoord do të përballen në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë duke e kthyer këtë ndeshje në një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë luhet një finale europiane. Sot priten të vijnë mbi 70 mijë tifozë të tjerë, ndërsa mbrëmja e kaluar ishte e vështirë pasi pati incidente dhe tensione në të gjithë kryeqytetin.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, u plagosën 10 efektivë e 4 tifozë dhe u dëmtua një automjet policie. Në Spitalin e Traumës u paraqitën 30 të lënduar, nga të cilët 20 ishin policë. Pasi morën trajtim mjekësor, të gjithë dolën nga spitali.

Ndërkohë u shoqëruan 60 persona, 48 tifozë të Romës 12 të Feyenoord. Përplasja nisi në rrugën ‘Mustafa Matohiti’, një prej zonave më të frekuentuara për jetën e natës në kryeqytet, ku 200 tifozë ultras të Feyenoord përdorën shkopinj dhe gurë ndaj uniformave blu. Pavarësisht ndërhyrjes së efektivëve, tifozët e Feyenoord nuk u qetësuan, duke u nisur me shkopinj drejt zonës së stadiumit. Ndërsa një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, lëvizën në drejtim të urës së Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe u përplasën me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.

Ndërkohë i plagosur mbeti edhe shqiptari 45-vjeçar i identifikuar me inicialet A.G. Fillimisht i raportua se shqiptari u godit nga tifozët holandezë, por pronari i lokalit ‘Europa Caffe’ ku ka ndodhur ngjarja, ka treguar për median italiane ‘La Repubblica’ që 45-vjeçari është goditur gabimisht me karrige nga miku i tij.