Nga Ylli Pata/

Raundi i parë u dogj, e që në fakt ishte i pritshëm. Një taktikë proceduriale që ndodh shpesh në zgjedhjet e presidencës, ku zakonisht “asi” nxirret në dorën e fundit, ku aktorët politikë që zotërojnë votat e duhura, presin momentin final. Opozita, ose më saktë grupet e opozitës mund të kenë shumë problem e pakënaqësi me mënyrën sesi mazhoranca po e drejton “fushatën” e zgjedhjes së Presidentit të ri. Sidomos, kur ka numrat për ta zgjedhur edhe e vetme, nëse në tre raundet e para nuk gjendet një kandidat që të marrë 84 vota.

Megjithatë, ky ishte, dhe akoma është dhe dy raunde një shans shumë i rëndësishëm për atë pjesë të opozitës, që e konsideron veten e ardhmja e politikës së qendrës së djathtë në vend, apo alternativë e mendueshme e mazhorancës socialiste që drejtohet nga Edi Rama. Po flasim për 35 deputetët, të cilët haptazi u përballën me Sali Berishës, duke mos marrë pjesë në Kuvendin konstituitiv të partisë së tij, çka është një sinjal i rëndësishëm e i qartë politik.

Me zgjedhjen e Presidentit të ri, opozita ka përveç një mundësi reale për të imponuar një kandidat të denjë për kryetar shteti, pa u kompleksuar se do të akuzohet nga Berisha, Meta e qarqet rreth tyre, por i është dhënë gjithashtu edhe një rrugë e hapur për të bërë një politikë krejt të ndryshme, nga mjedisi konfliktual e toksik i sherrit e kakofonisë që po mbizotëron prej 9 muajsh. E kjo mundësi ishte që Partia Demokratike, të nxirrte në publik, pa asnjë kompleks, një listë qoftë edhe të gjatë emrash sipas saj për kandidatë të mundshëm për President të ri të Republikës.

Një listë që natyrisht do të dilte nga forma të ndryshme tërheqjeje të opinionit të brendshëm të opozitës, natyrisht duke u kujdesur që të mos bihet në butaforizëm apo situate komike. Siç pati një përpjekje me kandidatë mitomanë që ushqejnë kabaretë e fundjavës por jo seriozitetin e postit më të lartë të Republikës.

Një grup emrash, që hapte një trase krejt moderne, europiane, e natyrisht konstruktive të një debate publik që mund të zhvillohej në të gjithë “ditët presidenciale” jo thjesht në Kuvendin e Republikës, por në panelet e darkës, media, rrjete etj. Duke dhënë një ide të asaj që opozita synon në të ardhmen, ide që pëtkthehet në emra konkretë, të cilët në vetvete, më shumë se emra janë alternative. Ndoshta asnjëri prej tyre mund të mos zgjidhet President, e fundja kjo nuk ka shumë rëndësi, por do të krijonte mundësi shumë të madhe për publikun, pasi rritet besimi se opozita është hapur. Ka nisur të hedhë në publik emra të tjerë, përveç atyre njerëzve të një kaste apo elite që “banojnë” në selinë e çuditshme të Partisë Demokratike, ku atmosfera në të, të jep përshtypjen se po përjetohet live prej kryeveprave të Gogolit.

Emra, që mund të jenë si mesazh politik, por edhe si busull orientimi për të treguar se cila është ideja e opozitës në lidhje me kandidatët për kryetar bashkie vitin e ardhshëm, ato për këshilltarë, apo edhe kandidatët për deputetë në vitin 2025. Me një fjalë, është një shans shumë i rëndësishëm për të thyer atë mjedis, ku për shkak të Sali Berishës e ndëshkimit të tij nga qeveria e SHBA, politikanët e PD-së, brenda e jashtë grupit parlamentar, brenda e jashtë strukturave të partisë apo partive që po krijohen brenda saj, janë përfshirë në një “luftë fratricide” që si emërues të përbashkët ka zilinë, mërzinë, mllefin, urrejtjen, e të tjera mëkate bazike që e afron njeriun më afër shejtanit se Zotit.

Ka logjikë mbizotërimi i kësaj atmosfere prej qoftë largu, si pasojë e një fryme që vjen jo nga ajri por brenda nxehtësisë së tokës, kur “demonët” duan të djegin gjithçka të mos hyjë ajri i freskët.

Por, Alibeaj, por edhe deputetët që nuk e duan fare kryetarin e komanduar, apo edhe të tjerë, nuk kanë nevojë për hudhra apo për nuska që të esorcizojnë selinë e opozitës ku duket se “ka shkelur dikush”, por thjesht të largohen pikërisht nga egoizmi, zilia, inati e vese të tjera “kapitale”.

Të hapin mendjen për të nisur një stinë të re politike, e cila natyrisht është si një dritare e hapur në selinë e bukosur të PD-së për ajrin e ri të pranverës. Duke dhënë e marrë sa më shumë me publikun.

Nuk do të vijë kush nga jashtë, as nuk do të llastojë opozitën duke i blerë karamele e çokollata, duhet të jetë vetë ajo që të tregojë çfarë kërkon në politikë. Fjalë që i janë thënë shumë e vetë këto 9 muaj, megjithatë sot, këto ditë, opozita ka një shans të rëndësishë, për të mos thënë fatal për të ardhmen e saj, por edhe të sistemit politik në vend…/Tema