Kombëtarja shqiptare ka kryer sot ditën e 5 të përgatitjeve për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve me 6 qershor kundër Islandës dhe 10 qershor kundër Izrealit. Për këto dy sfida kanë folur sot futbollistët Sokol Cikalleshi dhe Nedim Bajrami, të cilët janë shprehur se me rëndësi të madhe është nisja pozitive, ndërsa si pikë të fortë kanë vlerësuar grupin.

Përgatitjet për sfidat – “Jemi në fund kampionati, por këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për ne. Të gjithë lojtarët janë të fokusuar dhe të përqëndruar në stërvitja. Çdo gjë po shkon sipas planit, shumë mirë. Edhe pse na ndajnë edhe disa ditë kur kemi ndeshjen e parë, uroj që deri në fund mos të kemi dëmtime dhe mugesa dhe deri në fund të kemi grupin e plotë që të bëjmë ndeshjen që duam të gjithë.”

Pretendentë për vendin e parë? – “Është një grup ku ne do të tentojmë më të mirën, por duhet të kemi parasysh që kemi dy ekipe, që nuk janë me shumë diferencë nga ne. Kemi një fat të vogël që Rusia nuk do të jetë pjesë e grupit dhe do të doja që të përqëndrohemi te ndeshja e parë sepse fillimi i mbarë është gjysma e punës. Islanda ka një grup fizikisht shumë të fortë dhe do jetë një duel fizik në Islandë, ku nëse do tentojmë vendin e parë, duhet të dalim me rezultat pozitiv. Por, besoj se jemi gati. Pothuajse edhe në ndeshjet e fundit miqësore treguam që kemi ecur përpara, por na mungon edhe pak. Ajo pak çka mund të jetë ndonjë gabim apo përqëndrim në ndonjë moment të caktuar. Duke i korigjuar këto, besoj se do kemi mundësi t’i bëjmë tifozët tanë krenarë.”

Sulmi, pika jonë e fortë? – “Për sulmuesit është shumë e rëndësishme që të shënojnë me ekipet e tyre, pasi në momentin që vijnë në Kombëtare, edhe morali edhe motivimi është më i lartë. Por, jam i sigurt që për të arritur rezultate pozitive, ne duhet të funksionojmë si grup. Duhet të bëjmë më të mirën si grup i tërë, pasi nëse kthehemi edhe në histori, vetëm kështu kemi mundur të bëjmë diferencen. Kemi një mbrojtje të mirë, po ashtu edhe mesfushorët kanë minuta në këmbë dhe kanë luajtur. Siç e thatë edhe ju, sulmuesit, edhe unë, kemi arritur të shënojmë. Por, grupi na bën më të fortë dhe nëse sulmuesit arrijnë të shënojnë do të ishte më e mira, por që nga ndeshja e parë, do të doja që të mbizotëronte grupi dhe harmonia në grup. Kjo do na çojë përpara.”

Islanda apo Izraeli, kush është ekip më i fortë? – “Janë dy kundërshtarë ndryshe. Islanda është më fizike, kemi pasur ndeshje me ta kohët e fundit. E kemi humbur një dhe kemi fituar këtu. Është një ekip që të vë përpara fizikisht. Do jetë një duel fizik. Izraeli është më teknik si ekip, përqëndrohet te loja dhe mbajtja e topit. Janë kundërshtarë të ndryshëm, por ne kemi treguar që i kemi mundësitë. Kanë disa mungesa, por kjo nuk duhet të na bëjë më pak të përqëndruar, sepse janë ekip i mirë. Por, ndeshja e parë është më e rëndësishme dhe nëse arrijmë të marrim një rezultat pozitiv, do të tentojmë edhe vendin e parë. besoj se Islanda është kundërshtar direkt për ne, pa nënvlerësuar edhe Izraelin. Ndeshja e parë thelbësore për ne.”

Edhe mesfushori kuqezi i ekipit, Nedim Bajrami, i cili ka pak muaj që është bashkuar me Kombëtaren shprehet se objektivi i skuadrës është ta nisin mbarë këtë edicion të ri të Nations League, ndërsa flet edhe për konkurencën në ekip.

Pak muaj që jam bashkuar me Kombëtaren. Si ndihem? – “Ndihem shumë mirë me skuadrën. Jemi një skuadër miks, me lojtarë me eksperiencë dhe të rinj. Nuk shihet mosha, jemi të gjithë bashkë dhe kjo është shumë mirë për ne.”

Konkurenca në ekip – “Është normale në futboll. Çdo lojtar do të luajë, pastaj e vendos trajneri. Jemi një skuadër që jemi të gjithë bashkë.”

Synimet e ekipit – “Objektivi është ta nisim Nations League mirë, me rezultat pozitiv. Të stërvitemi mirë dhe të japim gjithmonë maksimumin.”

Përsëritje e suksesit të 2016-ës? “E dimë që kemi skuadër të fortë, por nuk është e lehtë ta arrish objektivin, edhe pse mungon në grupin tonë Rusia, që konsiderohet ekip shumë i forte”.