‘Kino jonë”, shfaqet “Vdekja e kalit” i restauruar. Regjisori Saimir Kumbaro: E realizuam në kohë absurde! Timo Flloko: Filmi luajti rol të rëndësishëm, merita dhe e skenaristit!

Është i pari film, pas diktaturës afro gjysmë shekullore. “Vdekja e kalit”, që mban firmën e regjisorit Saimir Kumbaro, tanimë i digjitalizuar, çeli në kinemanë e Arkivit të filmit programin “Kino jonë”… Restaurimi, siç premton drejtorja e re Arkivit, Marinela Ndria do t’u hap rrugë filmave shqiptarë të marrin pjesë në festivalet retrospektivë.

“Filmi është kërkuar më herët për t’u shfaqur në Kanë, por në pamundësi për shkak të cilësisë, tashmë është gati!”, thotë Ndria.

Publiku mundi ta shikojë filmin, jo vetëm në versionin digjital, pas restaurimit të mundësuar nga ACE dhe specialist Shai Drori, por edhe në praninë e disa prej protagonistëve, autorë e artistë të filmit.

“Ky film ka 30 vjet që është bërë, është xhiruar në një kohë absurde e pa lekë, kur sistemi komunist po jepte shpirt”, thotë regjisori Kumbaro.

Ndonëse i realizuar me një buxhet modest, Kumbaro arriti të ekranizojë skenarin e Nexhati Tafas, duke e sjellë komunizmin në dekada, me fytyrën e vërtetë të atij sistemi.

“Saimiri ka nuhatje dhe ka zgjedhur aktorët që duheshin”, thotë aktori Fitim Makashi.

“Është një film që në kohë ka luajtur një rol të rëndësishëm. Krijon emocione! Në fakt pa minimizuar rolin e regjisë, te ne aktorëve të kastit, të muzikës, këtu një rol të rëndësishëm ka luajtur skenaristi Nexhati Tafa”, thotë aktori Timo Flloko.

Drama e merr subjektin në vitet 1974-1975 kur ushtria u akuzua për tradhëti, çka çoi në ekzekutimin e Ministrit të Mbrojtjes të kohës dhe gjeneralit Petrit Dume. Protagonisti, Agroni, është një trajner kuajsh, që përpiqet të shpëtojë kalin e tij, çka bën që ai dhe familja e tij të kalojnë një sërë ngjarjesh tragjike. Në të interpretojnë gjithashtu, Rajmonda Bulku, Tinka Kurti dhe Niko Kanxheri.

Programi “Kino Jonë”, nisi këtë të premte dhe do të vazhdojë të shfaqë edhe të tjerë filma, mes të cilëve publiku ka të drejtën jo vetëm që të prenotojë vendin, por edhe filmin e dëshiruar…