Kryeministri Edi Rama ka shprehur mirënjohjen për Bashkimin Europian në konferencën e përbashkët me presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel.

Kreu i qeverisë tha gjithashtu se Shqipëria është krenare që është pjesë e frontit kundër së keqes, teksa iu referua luftës në Ukrainë.

“Përtej vështirësive të procesit, përtej aspekteve të moralizimit të hapave jemi në një nivel krejt tjetër të bashkëjetesës në suazën politike evropiane. Si rezultat edhe i një vullneti të shprehur nga ana e BE për ta afruar më shumë Ballkanit Perëndimor drejt BE. Jam i bindur se shqiptarëve nuk do ju duket e tepërt përsëritja e shprehjes së mirënjohjes së mbështetjes së BE në momentet më të vështira që nga pas tërmeti deri te periudha e pandemisë.

Nga ana tjetër dua të theksoj se ne ndjehemi shumë krenar që jemi pjesë e frontit të përbashkët që sot është front i së mirës kundër së keqes. Folëm me presidentin Michel për situatën e përgjithshme, por edhe sfidat për luftën në Ukrainë”, tha Rama.

Rama zbuloi se me Michel folën për situatën e përgjithshme, angazhimet e sfidat, si dhe çështjen e integrimit.

“Folëm me presidentin për situatën e përgjithshme, angazhimet e sfidat për luftën në Ukrainë…Folëm për ecurinë e marrëdhënieve rajonale, për Ballkanin e Hapur, për të gjitha sfidat e brendshme të rajonit dhe reformat në vendin tonë. Duke nisur nga ajo në Drejtësi që po jep fryte domethënëse. E ndoqëm dje operacionin e SPAK e Policisë së Shtetit për të goditur një rrjet kriminal dhe ndoshta për t’i dhënë goditjen më të madhe…Po edhe vënien para drejtësisë të individëve pavarësisht bindjeve politike. Kjo tregon që kemi hedhur hapa domethënës edhe në krahasim me vendet që i kanë çelur tashmë negociatat. E falenderojmë presidentin Michel për mbështetjen dhe për një sens shumë të prekshëm kujdesi në raport me këtë rajon ku bën pjesë Shqipëria”, deklaroi Rama.