Lançohet nga Fieri, për t’u shtrirë në gjithë Shqipërinë, Programi i Kujdesit Socio- Shëndetësor në sistemin parësor. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të Qendrës Shëndetësore nr. 3 në Fier, e rikonstruktuar në kuadër të Programit Kombëtar të 300 Qendrave Shëndetësore.

“Ashtu siç kemi realizuar në 300 qendrat shëndetësore që ne kemi rehabilituar, me të njëjtat kushte dhe standarde, si në fshat dhe në qytet, si në periferi edhe në qendër, edhe kjo qendër shëndetësore e rehabilituar, ofron shërbim me standarde për rreth 15 mijë banorë të Bashkisë Fier. Investimi ynë në kujdesin parësor do të vijojë me fazën e dytë të rehabilitimit të qendrave shëndetësore, me 37 qendra të reja në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se do të nisë zbatimi i strategjisë për ofrimin e shërbimeve socio-shëndetësore brenda qendrave shëndetësore.
“Synimi ynë tashmë është shërbimi I integruar socio-shëndetësor. Brenda qendrave shëndetësore që ne kemi rindërtuar nga e para, do të kemi edhe programin e kujdesit në banesë edhe gjithashtu edhe programin e kujdesit social, ku do të përfshihen punonjës social dhe psikologë brenda strukturave shëndetësore, në mënyrë që të kemi edhe kujdesin socio-shëndetësor të përfshirë”, tha Manastirliu.

I pranishëm në inspektim ishte dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS dhe drejtuesi politik në qarkun e Fierit, Taulant Balla, dhe kryetari i bashkisë Fier Armando Subashi.

“Siç edhe po e shikoni, shërbimi shëndetësor në qarkun e Fierit tashmë ka plotësuar të treja nivelet e veta, jo vetëm dy spitale të mëdha Rajonali dhe Memoriali i cili është një spital i nivelit kombëtar, por edhe qendrat shëndetësore janë të një cilësie të lartë. Edhe angazhimi që mori ministrja për 4 qendra të tjera të reja na plotëson një pjesë të kërkesave që banorët kanë”, tha Balla.

“Ishte një godinë tërësisht e shkatërruar e lënë në harresë në vite sepse ka qenë çerdhe e qytetit dhe sot është bërë kjo mrekulli”, tha Subashi.

Qendra shëndetësore nr.3 në Fier është rikonstruktuar nga Programi Kombëtar i 300 Qendrave Shëndetësore dhe ju shërben 15 mijë banorëve të Bashkisë Fier. 37 qendra shëndetësore do të rehabilitohen në gjithë Shqipërinë gjatë këtij viti dhe 4 qendra do të jenë në qarkun e Fierit. Shërbimi i integruar socio-shëndetësor, ku do të përfshihen punonjës social dhe psikologë brenda strukturave shëndetësore, do të shtrihet në të gjithë qendrat shëndetësore të vendit.