Rusia ka shpallur 34 diplomatë francezë “persona non grata”, duke u “hakmarrë” kështu ndaj Francës, që dëboi në prill 41 diplomatë të saj.

Ambasadori francez në Moskë Pierre Levy u thirr në Ministrinë e Jashtme ruse të mërkurën dhe “protesta e fortë u shpreh në lidhje me vendimin provokues dhe të pajustifikuar” të autoriteteve franceze për të shpallur 41 diplomatë rusë në Francë “persona non grata”, tha ministria. .

“U theksua se ky akt i shkakton dëme serioze marrëdhënieve ruso-franceze dhe bashkëpunimit konstruktiv dypalësh”, tha Ministria e Jashtme ruse.

“Si përgjigje, 34 diplomatë francezë janë shpallur ‘persona non grata’”, shtoi ministria. “Ata u urdhëruan të largoheshin nga territori i Rusisë brenda dy javësh nga data e dorëzimit të notës përkatëse tek ambasadori.

Ministria e Jashtme ruse ka dëbuar punonjës të shumë ambasadave në veprime të ngjashme hakmarrëse. Disa nga vendet më të fundit që morën një përgjigje të ngjashme nga Moska përfshijnë Finlandën, Gjermaninë, Bullgarinë, Poloninë, Danimarkën dhe Norvegjinë ndër të tjera.

Franca lëshoi një deklaratë dhe tha se “dënon fuqishëm” këtë veprim.

“Puna e këtyre diplomatëve dhe stafit të ambasadës sonë në Rusi, guximin dhe profesionalizmin e madh të të cilëve Franca e përshëndet, është plotësisht në kuadër të Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Vendimi i autoriteteve ruse nuk ka asnjë bazë legjitime. Ne vetëm mund ta dënojmë atë.”

Burimi: CNN