Tiranë, 13 Maj – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bashkë me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kanë vizituar kabinetin dentar në Shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto, në kuadër të Programit të Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç në shkolla, i mundësuar falë investimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për ngritjen e kabineteve të reja dentare.
Në fjalën e saj, Manastirliu tha se ky program falas për fëmijët, është duke u pilotuar në 10 shkolla në Tiranë, për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin.

“Janë 10 kabinete në Tiranë, në 10 shkolla të Tiranës në të cilat praktikisht janë vendosur 10 njesi apo unite dentare. Janë 11 mijë fëmijë të cilët do të depistohen nëpërmjet vendosjes së kësaj linje veprimi nëpërmjet këtij programi. 10 kabinetet e para tashmë janë instaluar në shkolla. Ndërkohë që planifikojmë që ta shtrijmë këtë program edhe në qytetet të tjera të Shqipërisë, gjithmonë me të njejtin model, duke i përfshirë në shkolla”, tha Manastirliu. Ministrja Manastirliu tha se qeveria shqiptare është angazhuar edhe me programe të tjera për kujdesin ndaj shëndetit të fëmijëve, siç është programi i kujdesit të syve.

“Një program i cili do të mundësojë që në momentin e lindjes deri në moshën 14 vjeç të mundet të ketë një depistim intensiv përsa i përket kujdesit ndaj syve duke bërë kontrollin e parë, ashtu sikurse e pamë në klasa, nëpërmjet tabelës së vizusit dhe duke referuar të gjitha ato raste të cilat mund të kenë problematika me shikimin tek mjeku specialist. Deri më tani nga ky program janë më shumë se 24 mijë depistime të kryera. Dhe ky program është praktikisht i shtrirë në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha shkollat”, tha Manastirliu.
Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tha se shkollat e reja po bëhen edhe me kabinete dentare, në mënyrë që fëmijët të bëjnë kontrollin e dhëmbëve, krahas investimit në terrene sportive apo kabinetet e informatikës.

“Shkollat e reja po bëhen jo vetëm me kabinetet e informatikës dhe terrenet sportive, si “Vasil Shanto” ka pas të njejtin rikonstruksion dhe të njejtin investim, por edhe me kabinete dentare që t’i paraprijmë një shkolle që është jo vetëm qendër komunitare. Por duke qenë se fëmijët sot me stresin dhe ngarkesën që kanë prindërit në fakt, kalojnë më shumë kohë në shkollë me mësuesit, kohë cilësore flas, se sa ndonjëherë në shtëpi. Atëherë kur thonë një rrugë, jo vetëm dy, por tre, katër, pesë punë”, tha Veliaj.
Programi i ri i dentistrisë në shkolla, është investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për kujdesin për shëndetin dentar rë fëmijëve në shkolla.
Programi i Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç fillon në 10 shkolla të Tiranës, më konkretisht në shkollën “Jeronim de Rada”, “Shkolla e Kuqe”, “Vasil Shanto”, “Mihal Grameno, “Kushtrimi i Lirisë”, “Bajram Curri”, “Lasgush Poradeci”, “28 Nëntori”, “Halit Caka” dhe “Qazim Turdiu”, ku janë ndërtuar unite dentare të reja, duke krijuar kabinetet model të ofrimit të shërbimit dentar për fëmijët në shkolla. Më shumë se 11 mijë nxënës në këto 10 shkolla të kryeqytetit do të jenë përfituesit e parë të këtij shërbimi, për t’u shtrirë më pas në gjithë vendin. Ky program do të ofrojë depistimin periodik, edukimi shëndetësor për ruajtjen dhe kujdesin e dhëmbëve si dhe shërbime konkrete, si fluorizimi, pastrami i gurëzave si dhe trajtimet urgjente apo mjekimet e patologjive të indeve të buta.