Burime të Report TV pranë stafit të Mike Pompeo kofirmojnë se ka patur një përpjekje të ish-Kryeministrit Sali Berisha për të krijuar një takim me zotin Pompeo gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, madje dhe spontanisht në korridoret e hotel Mak-Albania (ish-Sheraton).

I njëjti burim konfirmon se ekipet e sigurisë janë njoftuar për këtë fakt dhe janë njohur me fotografinë e Berishës për të parandaluar prezencën e këtij personi në mjediset ku do të ndodhej zoti Pompeo.

Ish sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo mbërriti në vendin tonë mbrëmjen e së dielës në kuadër të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA. Në fjalën e tij, Pompeo tha se përkushtimi vijon njësoj dhe uron që miqësia të ketë edhe 100 vite të tjera.

Gjatë vizitës, u nderua nga Universiteti i Tiranës me titullin Honoris Causa për kontributin e dhënë në ruajtjen e paqes, ndërtimin e dialogut, garantimin e sigurisë dhe thellimin e marrëdhënieve diplomatike mes Amerikës dhe vendit tonë.