Dy drejtues automjetesh janë arrestuar nga policia pasi ka qenë duke drejtuar makinën nën efektin e lëndëve narkotike.

Në pranga janë vënë A. A., 21 vjeç, i cili është konstatuar fillimisht duke përdorur telefonin në timon dhe ka rezultuar pozitiv gjatë testit të drogës.

Ndërkohë në Qafë Kashar është arrestuar I. K., 27 vjeç, i cili ka qenë duke udhëtuar pa rrip sigurimi dhe me telefon në timon.

Njoftimi i policisë

Policia Rrugore e Tiranës/Kontrolle të befasishme në mjetet e transportit publik dhe për evidentimin e ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që kryejnë shkelje agresive.

Nga kontrollet e ushtruara në mjetet e transportit publik është arrestuar në flagrancë një drejtues autobusi, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve të befasishme dhe të dedikuara gjatë 48 orëve të fundit, janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues automjetesh që drejtonin automjetet nën efektin e lëndëve narkotike. Njëri prej drejtuesve kishte konsumuar 3 lloje drogash.

Gjatë kontrolleve parandaluese për verifikimin e drejtuesve të mjeteve të transportit publik, në rrugën “Dritan Hoxha”, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. K., 62 vjeç, i cili drejtonte autobusin në gjendje të dehur.

Në rrugën “Abdyl Frashëri”, shtetasi A. A., 21 vjeç, është konstatuar duke drejtuar automjetin pa rrip sigurimin dhe duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të automjetit. Pas testimit me aparatin drogë-testues Aquilascan, ka rezultuar se shtetasi A. A., e drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Gjithashtu, në vendin e quajtur “Qafë-Kashar”, shtetasi I. K., 27 vjeç, është konstatuar duke drejtuar automjetin pa rrip sigurimin, duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të automjetit, si dhe me xhamat e përparmë të riveshur mbi normën e lejuar. Pas testimit me aparatin drogë-testues Aquilascan, ka rezultuar se shtetasi I. K. e drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.