Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov tha se Kievi shpreson të armatosë një milion njerëz, ndërsa vendi po përgatitet për një fazë të re të luftës, raporton The Guardian.

“Po hyjmë në një fazë të re, të gjatë të luftës. Për të fituar, ne duhet të planifikojmë me kujdes burimet, të shmangim gabimet dhe të projektojmë forcën tonë në mënyrë të tillë që armiku përfundimisht të mposhtet”, shkroi ai në një postim në Facebook më herët të premten.

Ai falënderoi Sekretarin Britanik të Mbrojtjes Ben Wallace për mbështetjen e tij në rritjen e ndihmës për Kievin, si dhe udhëheqjen e partnerëve amerikanë, duke përfshirë homologun e tij amerikan Lloyd Austin.

Qëllimi i Ukrainës është “të rivendosë sovranitetin dhe integritetin territorial brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”, tha ai. Reznikov shtoi se ai “përqendrohet në nevojën për të siguruar një milion njerëz që do të përballen me armikun”.

Ai paralajmëroi gjithashtu se “javë jashtëzakonisht të vështira janë përpara nesh” dhe se Ukraina ka nevojë për “unitet, kohezion, vullnet dhe durim” në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë.

Reznikov tha se në fillim të luftës, “vullnetarët ishin jashtëzakonisht të dobishëm” dhe, falë lëvizshmërisë së tyre, “zgjidhën shpejt çështjet shumë urgjente”, raportoi BBC.

Ai thotë se për të fituar, Ukraina duhet gjithashtu të investojë në objektet e prodhimit ukrainas në mënyrë që të “sigurojë stabilitet dhe shpeshtësi të dërgesave”. Në deklaratën e tij ai thekson se Ukraina është mbështetur në ndihmën e qytetarëve, vullnetarëve dhe organizatave civile për një pjesë të konsiderueshme të pajisjeve të saj ushtarake.

Ai tha gjithashtu se në fund të prillit, ministria e mbrojtjes e Ukrainës u mbështet në donacione për 50 për qind të armaturës së përdorur në luftime, por që nga 13 maji, Ukraina ka arritur të rrisë dhe prodhimin e saj për të siguruar 57 për qind të jelekëve antiplumb për forcat e armatosura.