Edhe pse vendi ynë ka pasur dhe ka përkthyes të njohur dhe të talentuar, që e bëjnë letërsinë e zgjedhur botërore të flas shqip, përkthimi i letërsisë shqipe në gjuhët e botës është një mision ende i papërmbushur dhe për më tepër kaotik.

Për herë të parë ndërmerret një analizë studimore….

Në mjediset e Goethe Zentrum – Tirana u përurua Studimi me titull “Letërsia shqiptare, përkthyer në gjuhët e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, (të dhëna, vëzhgime dhe analiza: 2015-2020)” botuar së fundmi nga POETEKA, me mbështetjen e BE-së, në kuadër të projektit Balkan Translations Collider, bashkëfinancuar nga Programi Creative Europe (European Union in Albania).

Promovimi u moderua nga përkthyesi i njohur Edmond Tupja dhe botuesi Arian Leka, bashkautor i këtij studimi.

“Përkthimi është një nga rrugët e rralla për të pajtuar njerëzimin me vetevevetm. Përkthyesit janë si kuajt e postës, ata e çcojnë përpara qytetërëimin”, tha Edmond Tupja.

Ndërsa u përshëndetën dhe u diskutuan vlerat e këtij botimi, botuesi Arian Leka falënderoi të pranishmit dhe bashkëpunëtorët e këtij botimi; përkthyesen e njohur Nerimane Kamberi dhe studiuesen e letërsisë Lindita Tahiri nga Kosova, shkrimtarin dhe përkthyesin Lulzim Haziri nga Maqedonia e Veriut, shkrimtaren Dragana Tripković nga Mali i Zi, përkthyesin Astrit Beqiraj, etj.

Në përurimin e parë të këtij studimi morën pjesë studiues të fushës së letërsisë, përkthyes, përfaqësues të botës akademike e universitare, përfaqësues të institucioneve publike e private, botues, gazetarë etj. Veprimtarisë iu bashkuan të ftuar nga Kosova (përkthyesja e njohur Nerimane Kamberi dhe studiuesja e letërsisë Lindita Tahiri), nga Maqedonia e Veriut (shkrimtari dhe përkthyesi Lulzim Haziri), nga Mali i Zi (shkrimtarja Dragana Tripković), shkrimtari dhe studiuesi Ardian Kyçyku, përmes fjalës përshëndetëse, drejtuesja e Katedrës së gjermanistikës Marsela Likaj, shkrimtarja dhe përkthyesja Manjola Nasi, përkthyesi Astrit Beqiraj-gjitashtu ekspert mbikëqyrës i studimit, përkthyesja Elda Gjana-Boriçi, përkthyesi dhe gazetari Ben Andoni, punonjësi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Fari Laçka, botuesi dhe drejtuesi i shoqatës së përkthyesve shqiptarë Rexhep Hida, botuesi Mehmet Gëzhilli, përkthyese me përvoja më të reja, si Armanda Hysa e Jonida Burba, të cilët bashkëbiseduan përgjatë dy orëve me përkthyesin e njohur Edmond Tupja dhe shkrimtarin e studiuesin Arian Leka.

Në takim u theksua vlera e veçantë që ka krijimi për herë të parë i statikës nistore mbi letërsinë shqiptare të përkthyer

Studimi e vështron procesin si çështje të dialogut dhe e debatit shkencor, duke e vënë theksin mbi hallkat e rëndësishme të që shoqërojnë veprimtarinë përkthimore, kriteret që ndiqen në përzgjedhjen e autorëve, rolin e përkthyesit, të institucioneve që operojnë me fonde publike në mbështetje të përkthimit, strategjitë për promovimin e letërsisë së përkthyer shqiptare drejt kulturave pritëse etj.

Gjatë bashkëbisedimit u theksua se, nga pikëpamja e gjeografisë së kërkimit studimi prek hartën kulturore të 25 shteteve të kontinentit europian, duke shqyrtuar 19 gjuhë të gjeozonës, ndërkohë që nga pikëpamja e organizimit të lëndës Studimi operon nën termat e dendësisë së shkëmbimit, prej nga veçohen 3 zona: I. Zonën e shkëmbimit të lartë; II. Zonën e shkëmbimit të mesëm; III. Zonën e shkëmbimit të ulët. Këtij kriteri i bashkëngjitet edhe ai i intensitetit në shkëmbim, duke bërë të dallueshme se në cilat gjuhë pritës letërsia shqiptare përfshihet në: I. Zonën – letërsi e mirënjohur; II. Zonën – letërsi e njohur; III. Zonën letërsi pak e njohur.

U theksua gjithashtu se vlerë e Studimit janë referencat, listat emërore të autorëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, që kanë libra të dhe botime publikuar në organe shtypi gjatë viteve 2015 – 2020, të dhëna që organizohen në tabela e grafikë ilustrues, që qartësojnë vështrimin mbi gjendjen, por edhe mbi prirjet e letërsisë shqiptare në përkthimin e saj drejt gjuhëve të shqyrtuara të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

Përtej këtyre, siç u theksua në takim, Studimi priret që statistikat të bëhen ndihmëse për të qartësuar mendimin se duhet që “përmes kërkimesh e vëzhgimesh shkencore, të nxjerrësh nga një sasi cilësinë, jo anasjelltas, dhe të ndjekësh ecurinë e cilësisë”, siç theksoi Ardian Kyçyku në “Disa fjalë e pyetje rreth letërsisë dhe statistikave”, duke e ditur tashmë se vetë kriteret e vlerësimit të letërsisë në Ballkan, përfshi edhe Shqipërinë, janë shpesh të ndryshëm nga kriteret që përdoren në Europën Perëndimore e më gjerë, ku ato nuk janë përjashtues, por as nuk pranojnë gjetjen e një të mesmeje të artë, për t’ia lëshuar hapësirën vendimmarrëse jo kriterit estetik dhe vlerës letrare, por polikave bashkëpunuese me ata të ekonomisë së tregut e prej nga, siç konstatohet jo me kënaqesi në këtë Studim dhe, siç u theksua në bashkëbisedimin mes Edmond Tupes, Astrit Beqirajt dhe Arian Lekës, Lulzim Hazirit, Lindita Tahirit, Nerimane Kamberit, Marsela Likës, Manjola Nasit etj., në shumicën dërrmuese të rasteve, përzgjedhjen e librave të autorëve shqiptarë për përkthim e botim në gjuhët e shqyrtuara e kanë diktuar financat, gjeopolitika, idhujtaria letrare, inercia kulturore dhe snobizmi, duke ndikuar në ecurinë jo normale të letërsisë shqiptare drejt kulturave të tjera e duke bërë që kjo letërsi të përjetojë vonesa, të mos ketë ende një fizionomi të qartë, të përfaqësohet kryesish me libra mesatarë dhe jo me vepra me vlerë e me rëndësi të veçantë, jo vetëm për kulturën kombëtare, por edhe më gjerë.

Përveç ndarjes së përvojave mes të pranishëmve, në takim u propozuan edhe mënyra alternative se si letërsia e përkthyer shqiptare mund të përfaqësohet e përurohet më mirë, rolin e revistave letrare dhe përurimeve jo thjesht në Shqipëri, por në kulturat pritëse ku veprat përkthehen, krijimin e një çmimi kombëtar për përkthyesin e librit më të mirë drejt gjuhëve të huaja, vlerësimin e posaçëm të përkthyesve nga shqipja drejt gjuhëve të huaja, përmes flesave për qëndrim në rezidenca letrare apo në punëtori përkthimore etj.