Nga Carlo Bollino

Çdo vit, në këtë periudhë, vjen raporti mbi lirinë e medias të Reporterët pa Kufij (Reporter Sans Frontiere, RSF) dhe ndërsa në pjesën tjetër të botës perëndimore nuk i intereson askujt, pasi askush as e lexon, në Shqipëri kthehet në një event, si banda frymore që kalon në katund dhe katundarët e presin si të ishte një koncert rock. “Lajmi” i këtij viti është se RSF ka deklasuar Shqipërinë me 20 vende, duke e cuar në vendin e 103, më keq në Ballkan. Shqipëria ka përfunduar në mes të këtij klasifikimi global më afër Koresë së Veriut (në vendin e fundit e 180-a) se sa me Norvegjinë, edhe këtë vit në vend të parë. Kush gëzohet sa herë që një dokument i shkruar në gjuhë të huaj hedh baltë mbi Shqipërinë, po gëzon edhe këtë herë i kënaqur. Mua, të themi të vërtetën, që jam gazetar dhe cështja duhet të më përkasë shumë, nuk më bën asnjë përshtypje, madje më bën të qesh. Do të shpjegoj përse.

RSF nuk është një gjykatës i pavarur, por është një OJF si shumë të tjera (vetëm shumë më e pasur se të tjerat) që i dërgon përvit bashkëpunëtorëve të vet të pranishëm në 180 vende të monitoruara një listë me 117 pyetje mbi tema të lirisë së shtypit. Renditja përpilohet në bazë të përgjigjeve të marra. Eshtë pikërisht kjo metodologji që e bën të pakuptimtë dhe shpesh qesharak klasifikimin e RSF që në fakt në brendësi shpalos 180 standarte të ndryshme, po aq sa janë ndjeshmëritë e informatorëve të kontaktuar në secilin vend. Disa shembuj? Eshtë një Shtet në të cilin, sipas RSF, 1 gazetar në 4 kërcënohet për shkak të profesionit të tij. Është Korea e Veriut? Jo, është Norvegjia, që pavarësisht se i njeh këtë rekord të rëndë, RSF e rendit në vendin e parë në botë mes vendeve që garantojnë lirinë e gazetarëve.

Në vitin 2017, vit kur u vra në një atentat politik gazetarja Daphne Caruana Galizia, Malta u rendit nga RSF në vendin e 47, pra 70 pozicione më lart se Shqipëria. Në vitin 2022, kur për fat nuk kanë vrarë askënd, Malta ka zbritur në vendin e 78, pra me keqe. Por gjithnjë shumë më mirë se Tirana. Italia, ku në këtë moment janë 20 gazetarë të ruajtur me eskortë për shkak të kërcënimeve nga krimi i organizuar dhe ku televizioni publik i kontrolluar plotësisht nga partitë ndalon të ftojë në debate analistët e papëlqyer, është në pozicionin e 58, pra 45 shkallë më lart se Shqipëria. Si janë të mundura këto diferencime?

Pika thelbësore për të kuptuar besueshmërinë e klasifikimit të RSF është të dimë se kush iu përgjigjet pyetjeve në Shqipëri. Unë qesh me raportin pasi RSF duke shkelur cdo rregull transparence gazetareske nuk e thotë, duke fshehur të vetmin kriter vlerësimi që ekziston. Sepse është e qartë se nëse përgjigjet zëdhënësi i opozitës, gjykimi mbi lirinë e shtypit do të ishte shumë më i ndryshëm nëse do të përgjigjej një zëdhënës i qeverisë. Eshtë në fakt një cështje këndvështrimi.

Edhe pse nuk njihen zyrtarisht emrat e informatorëve të RSF, një ide e kam krijuar dhe pikërisht për këtë arsye nis të qesh. Gjykimi mbi problemet e medias në Shqipëri ofrohet nga “ata të ojf-ve”, dmth një rreth prej pak gazetarësh superelitarë. Janë ata që punojnë 3 ditë në javë dhe paguhen 1500 euro për cdo shkrim, i paguar natyrisht me paratë publike të dhuruara nga vendet euro-atlantike (edhe këtu pa asnjë formë transparence). Për cdo shkrim këta “vip-a” të informacionit fitojnë atë që një gazetar i një media normale në Shqipëri e fiton në dy muaj punë. Dhe, ndoshta, për shkak të këtij superioriteti financiar këta pseudo vip-a mendojnë se kanë dhe një superioritet moral, që nga katedrat shpërndajnë gjykime, të gjitha të deformuara edhe nga një e dhënë që i bashkon: E kanë inatin me Edi Ramën. Arsyeja e këtij inati shpjegohet me faktin se kryeministri (ish-gazetar) është i infektuar nga i njëjti snobizëm i tyre, ndaj i injoron. Sa më shumë ai i injoron, aq më shuma ata e urrejnë dhe e kritikojnë. Dhe është pikërisht në këtë pikë që krijohet një rreth vicioz i dytë, i dyshimtë, sepse sa më shumë sulmet kundër qeverisë shtohen dhe raportet ndërkombëtare mbi lirinë e shtypit në Shqipëri përkeqësohen, aq më shumë donatorët shtojnë fondet e tyre për të mbështetur këta “rojtarë të informacionit” dhe investigimet e tyre. Si të thuash, janë edhe në konflikt interesi.

Zoti shpëtoftë shqiptarët nga të ashtuquajturit “gazetarë investigativë”, dhe jo se nuk ka nevojë për investigime, por se 80 % e këtyre të vetëshpallurve “gazetarë investigativë” janë bixhozcinj, të droguar, pijanecë, gënjeshtarë dhe gjobaxhinj që vishen me imunitetin dhe paprekshmëri vetëm e vetëm për të qenë të lirë të godasin kë duan, që zakonisht janë ata që nuk i paguajnë. Nga qen roje të pushtetit (të famshmit Ëatch dog amerikanë) janë shndërruar në piranja dhe janë krenarë! Të refuzosh të dallosh, sic bën edhe RSF, gazetarinë e vërtetë investigative nga gazetaria e shantazhit, është njësoj sikur t’i japësh në dorë një pistoletë të mbushur një polici në shërbim apo një fëmije që dëshiron të luaj luftash. Kush nga të dy do të bënte më shumë viktima të pafajshme?

Unë qesh me raportin e RSF pasi në realitet asnjë nga fajet e vërteta të Edi Ramës dhe të qeverisë së tij dhe të problemeve reale që ka media në Shqipëri, nuk përmenden në atë deftesë ndërkombëtare që pretendon të vendosë dhe nota. Kjo, thjeshtë sepse informatorët e RSF fshehin të vërtetën. Gënjejnë, edhe pse paguhen 1500 euro për një shkrim. Faji i parë i Edi Ramës dhe i qeverisë nuk është se ka persekutuar mediat, por se ka ndjekur të njëjtën logjikë të gabuar që prej vitesh kanë ndjekur ato institucione (duke nisur që nga prokuroria e Theodhori Sallakut) që duan të tregojnë pavarësinë e tyre, duke zgjedhur të mos bezdisin askënd, përkundrazi të miklojnë të gjithë. Sot sektori i informacionit është një nga sektorët kryesorë ku në dritë të diellit bëhet pastrim parash të pista, evazion fiskal dhe punë në të zezë, si dhe një sistem i pandërprerë shantazhesh dhe gjobvëniesh. Shteti e di, por nuk bën asgjë, pasi mediat nuk preken, as ato kriminalet. Qeveria kishte premtuar se nga muaji mars një task force “me përparëse të bardha” do të niste hetimet mbi biznesmenët dhe botuesit që fshehin pagat e vërteta të vartësve, e megjithatë edhe këtë herë nuk ndodhi asgjë. Përse raporti i RSF nuk denoncon të gjitha këto?

Përse raporti i RSF nuk denoncon as faktin që në Shqipëri AMA, agjencia e ngarkuar me ligj të vigjëlojë mbi bilancet, mbi pronësinë dhe tregun e televizioneve, është një institucion që për t’u dukur e pavarur, ka reshtur së funksionuari? Sot jo vetëm që nuk njihen emrat e pronarëve të vërtetë të shumë televizioneve, jo vetëm që disa televizione financohen qartësisht me para të pista, por edhe pirateria është kthyer si ajo e kohëve më të këqija të viteve të Berishës. E megjithatë është në rregull kështu, pasi, nëse AMA reagon apo tatimet fusin hundët në bilancin e mediave, komuniteti ndërkombëtar dhe ”ata të OJF-ve” bërtasin për skandal!

“Ata të OJF-ve” u skandalizuan edhe për një projekt ligj që synonte të vendoste rregull në xhunglën e mediave online. Eshtë e vërtetë, ai ligj duhej korrigjuar pasi mund të bëhej shkas për abuzime, por me komplicitetin e komunitetit ndërkombëtar u ndalua që bashkë me abuzimet, të dilnin më në fund nga informaliteti me qindra portale ku gazetarët punojnë në të zezë, reklamat merren cash dhe ku në vend që të publikohen lajme të sakta prodhohen lajme të rreme dhe gjobat, sepse asnjë gjykatë nuk do t’i dënonte duke qenë se janë portale fantazma. Në c’vend të qytetëruar ndodh kjo? Përse RSF në vend që të denoncojë këto fenomene, shqetësohet vetëm që ai ligj të varroset njëherë e përgjithmonë?

Në një vend si Shqipëria ku ekzistojnë 70 televizione, mes të cilave 10 me karakter vetëm informativ, 30 gazeta kombëtare dhe mbi njëmijë portale informacioni prej mijëra ngjyrash, të flasësh për mungesë lirie shtypi është një hipokrizi që shërben për të fshehur të vërtetën. Dhe e vërteta është se ky obezitet informativ po shkatërron cdo profesionalizëm gazetaresk ndërsa gazetarët, të shndërruar tashmë në profesionistë super te kerkuar pasi ka me shume media se sa gazetare, janë të aftë edhe të kërcënojnë botuesit vetëm me kalimin nga një media në tjetrën. Jo se botuesit janë shënjt, por ky kaos i përgjithshëm duket se iu pëlqen të gjithëve. Nuk shpjegohet ndryshe se si në një terren pa rregulla, asnjë gazetar duke filluar nga “shpirtërat e bukur të OJF-ve”, nuk ka përfituar për t’u pajisur me një strukturë të vërtetë dhe me autoritet vetërregulluese, e vetmja rrugë që do të garantonte pavarësi mediave, por që do t’i impononte dhe profesionalizëm dhe korrektësi operatorëve të vet.

Në fund të fundit faji i vërtetë i Edi Ramës dhe qeverisë së tij (ndonjëherë të detyruar edhe nga ambasadorët) nuk është se ka imponuar rregulla dhe censurë sic shpik RSF, por ekzaktësisht e kundërta: se kanë lejuar me indiferencën e tyre që liria e shtypit të degjenerojë në anarki, duke zhdukur në këtë mënyrë armën më të fortë që gazetarët do të kishin kundër pushtetit: besueshmërinë e tyre.