Masa për 39-vjeçarin Ajas Sulejmani, i cili përplasi me makinë çiftin Konomi dhe foshnjën e tyre 3 muajshe, teksa po kalonin në vijat e bardha, do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 9:15 nga gjyqtara Rexhina Merlika. Vendimi pritet të merret në dhomën gjyqësore për të miturit, meqenëse i lënduar nga aksidenti ka mbetur edhe një e mitur tre muaj.

Prokuroria ka kërkuar ‘arrest me burg’ për 39-vjeçarin, ndërsa do të përballet me një sërë akuzash ai shkelje e rregullave të qarkullimit me pasojë, drejtim te automjeteve në mënyre te parregullt nën ndikimin e drogës si dhe largim nga vendi i aksidentit.

Report Tv ka mësuar se Sulejmani i ka mohuar akuzat se ka përdorur drogë, ai ka kërkuar test përmes analizave të gjakut. Sulejmani ka thënë se nuk i kanë punuar frenat dhe se ka qenë me vetëm 40 km në orë.

“Nuk kam qenë shpejt. Kam qenë me 40 km/h. Nuk kam faj nuk punuan frenat e sistemi frenimit. Testi i drogës s’është real me bëni analiza gjaku. S’përdor kurrë drogë në jetën time për më tepër merrem me sport e palestër. Nuk u largova nga vendi aksidentit, çova vajzën në spital të dëmtuarit i ndihmuan kalimtarët. Skam asgjë tjetër për të deklaruar”, mësohet se ka thënë ai.

Ajas Sulejmani, me G-CLASS-in e tij të zi kaloi me semafor të kuq dhe përplasi çiftin Vilma dhe Arjan Konomi në viza të bardha teksa me vete kishin edhe një foshnje 3 muajshe, e cila shpëtoi fatmirësisht pa asnjë lëndim. Gjendja shëndetësore e bashkëshortëve Vilma e Arjan Konomi paraqitet e qëndrueshme, ndërsa kanë dalë tashmë nga trajtimi intensiv.

Sulejmani, nuk është një emër i panjohur për policinë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë vendit. Drejtuesi i makinës luksoze me targa të gjermane, është shoqëruar tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor.

Sulejmani ka qenë i shpallur në kërkim në vitin 2014 nga autoritetet amerikane, pasi akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike. Ende nuk dihet nëse Sulejmani e ka mbyllur këtë çështje me drejtësinë amerikane.