Zgjedhja e Daniele Orsatos si arbitër për Milan – Atalanta ka ngjallur habi në klubin kuqezi. Në mënyrë jozyrtare bëhet e ditur pakënaqësia e drejtuesve për përcaktimin e 46-vjeçarit pas atyre që kanë ndodhur gjatë sezonit në sfidat e “Djallit” me Napolin, Specian apo Udinezen. Megjithatë, burime pranë shoqatës së arbitrave konfirmojnë se përzgjedhja e tij mund të jetë fryt i emergjencës për dikë që jep garanci në radhët e Shoqatës së Arbitrave Italianë.

Një ndeshje si ajo mes Milanit dhe Atalantës nuk mund t’i besohej një të riu. Davide Masa po kalon një moment delikat me kuqezinjtë pas golit të anuluar në ndeshjen Milan – Napoli ku anuloi golin e Kesit për një pozicion jashtë loje të diskutueshëm të Zhirusë që ishte i shtrirë në tokë. Daniele Doveri, që mund të ishte pranuar nga kuqezinjtë, iu përcaktua Interit pikërisht për të shmangur dy ndeshje radhazi të Milanit.

SHQETËSIMI – Në këto rrethana, Orsato është i vetmi që u jep garanci eprorëve të tij. Te Milani, sidoqoftë, janë të shqetësuar. Precedentët me këtë “ekspert” nuk i lënë të qetë as drejtuesit e aq më pak tifozët. Arsyeja janë gjashtë humbjet dhe po aq barazime në 12 raste ku rrugët e kuqezinjve janë kryqëzuar me Orsaton në ndeshje të mëdha.

Vetëm një fitore, është ajo e marrë ndaj Napolit. Rastësia nuk mund të jetë një alibi, por sigurisht që kushtëzon raportin që ka pasur skuadra ndër vite me 46-vjeçarin me profesion elektricist nga Kolegjiumi i Skios. Edhe në total, situata nuk është fort optimiste për “Djallin”.

Në 33 precedentë, fitoret janë 11, ndërkohë që në 12 raste kuqezinjtë kanë dalë nga fusha me një pikë. Tetë humbje plotësojnë tablonë e cila rëndohet nga prania në VAR e Masimiliano Irratit për ndeshjen e së dielës. Më këtë të fundit si kryesor kuqezinjtë kanë humbur vetëm dy herë, por që nga prania e tij si asistent shqetësimi rritet. Ishte Irrati që vendosi të mos e ndëshkonte Lautaro Martinezin në derbin e vajtjes në Kupën e Italisë pasi argjentinasi shkeli kyçin e Majk Menjasë, teksa javën e kaluar vendosi të mos shihte faullin e Ikonesë ndaj Leaos në Milan – Fiorentina.

PANORAMASPORT.AL