Fatmir Mediu, kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ndryshim tha se po diskutojnë me opozitën që të kenë një emër kandidati të përbashkët për presidentin e Republikës. Mediu tha se ka diskutuar me grupin negociator të Rithemelimit, Oerd Bylykbashin dhe Luciano Boçin si dhe me Alibeajn.

‘Duhet një kandidat, t’ja përcjellim, jo vetëm mazhorancës, por edhe opinionit publik. Kam diskutuar edhe me Bylykbashin dhe me Boçin edhe me Alibeajn. Ne jemi të qëndrimi i Aleancës për Ndryshim, duhet të kemi një figurë të pëbashkët që të biem dakord. Të kemi një kandidaturë të përbashkët. Nuk kemi folur për emra. Duhet patjetër që të kemi një qëndrim të përbashkët.’- tha Mediu.

Ai nuk e ka përjashtuar votimin e një kandidature të PS-së, nëse ajo plotëson kriteren.

“Negociatat nuk janë përjashtuese, nëse përcaktojmë kritere të qarta, bazuar në kushtettë, kemi shanse që të arrijmë në një marrëdhënie të përbashkët. Nuk mund të shkojmë në fund pa filluar procesin, fundi është kur vjen kandidatura, nëse nuk kanë konsensusin, atëherë opozita qëndrim për të mos ta votuar”, tha Mediu.

Mediu është shprehur kundër bojkotimit të procesit.

“Opozita ka një detyrim në raport me kushtetutë, nuk shkoj te ideja që të bojkotojmë procesin, dhe të themi që ngaqë bojkotuam ne Rama bëri çfarë të donte, nëse ka një kandidaturë të njëanshme që nuk ofron asnjë vlerë apo bashkëpunim politik, opozita të marrë qëndrimin e vet”, shtoi ai.