Nga sot, 1 Maj, për mbi 95% të shërbimeve publike të ofruara nga shteti, shqiptarët nuk do të kenë më nevojë të dalin nga shtëpia. Këto shërbime do të ofrohen online në ‘E-Albania’, ndërsa do të marrë fund ‘epoka’ e sporteleve. Në këtë mënyrë qytetarët do të kursejnë kohë, do të shmangin radhën, e po ashtu i jep fund edhe korrupsionit në këmbim të një shërbimi të caktuar.

Po ashtu, çdo emigrant shqiptar që do të kërkojë për të marrë një certifikatë në gjuhën angleze dhe jo vetëm, do të ketë mundësi që ta marrë atë në mënyrë elektronike, pa pasur nevojë që të vijë në atdhe, e të presë me orë të tëra në sportele. Këto certifikata përveç gjuhën angleze dhe shqipe, do të jenë edhe në 4 gjuhë të tjera, greqisht, spanjisht, italisht, gjermanisht.

Ndërkohë drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj zbuloi edhe institucionet që kalojnë me sportele online.

Karçanaj: Preken të gjitha institucionet. Kemi grupin e parë të institucioneve që u reduktohen ndjeshëm sportelet. Përmend këtu Drejtorinë e Përgjithshme të gjendjes civile, nga 390 sportele fizike, kalon në 150 sportele. Në këto sportele do të merren vetëm ato shërbime që kanë nevojë për prezencën e personit. Preket Qendra Kombëtare e Biznesit, ku shërbimet do të ofrohen vetëm online dhe sportelistët që më parë punonin në sportelet fizike, do të punojnë për t’i kthyer përgjigje me vulë elektronike qytetarit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, por dhe të gjitha institucionet e tjera sepse edhe në rastin kur këto institucione nuk kanë pasur sportele fizike që reduktohen apo ishin te pjesa që aplikimi realizohej dhe përgjigja vinte me postë, tashmë do të kemi një përgjigje që vjen vetëm në mënyrë elektronike dhe me vulë digjitale. Kjo është risia më e rëndësishme e këtij transformimi.

-Si do të operohet me qytetarë që nuk janë të familjarizuar me teknologjinë, të moshuarit përshembull?

Karçanaj: Nga eksperienca e deritanishme dhe nga shifrat, ne flasim me shifra, pensionistët e kanë përdorur platformën e-Albania shumë mirë. Në pandemi ishin përdoruesit kryesorë dhe rezervonin javët e tyre për dalje. Aplikimet për pensione arritën në 1.6 milionë përdorime të këtyre shërbimeve që bëhen nga moshat e treta, fermerët e moshuar gjithashtu që aplikojnë në e-Albania.

-Çfarë avantazhesh do të sjellë sistemi i qendërzuar, i shërbimeve pa letra, që është ambicia e qeverisë shqiptare?

Karçanaj: Tashmë kemi kaluar pa letër në sistemin e akteve ku merret mendimi dhe kryhet gjithë procesi i inicimit dhe aprovimit të akteve të Kryeministrit. Çdo akt atje është pa letër, me nënshkrim elektronik. Sistemi i menaxhimit të dokumenteve është implementuar me shumë sukses në Kryeministri dhe në të gjitha ministritë e linjës. Është momenti që në dy vitet e ardhshme të përmbyllim punën e gjithë administratës, të automatizohet, të kalojë pa letër, nuk do të kemi asnjë letër, as kohë të humbur më në postë, nuk do të kemi më pesë ditë deri në dy javë vonesa, apo printera që amortizohen.