Lega Serie A ka publikuar MVP-të (lojtarët më të mirë) të sezonit 2021/22 të kampionatit italian të futbollit: lojtari i ri më i mirë, portieri, mbrojtësi, mesfushori dhe sulmuesi do ta marrin trofeun në fushën e lojës në javën e fundit të kampionatit. Renditjet janë bërë duke patur parasysh analizat e Stats Perform, të regjistruara me të dhënat e gjurmuara nga sistemi Hawk-Eye. Sistemi i klasifikimit është i vlefshëm shkencërisht dhe merr parasysh jo vetëm statistikat, por edhe të dhënat që kanë të bëjnë me pozicionimin.

Kjo lejon të analizohen aspekte të rëndësishme si lëvizja pa top, zgjedhjet e lojës, kontributi ndaj efikasitetit teknik dhe fizik ndaj skuadrës, që lejon një vlerësim objektiv dhe cilësor të paraqitjes. Për llogaritjen e fundit janë marrë në konsideratë të gjitha ndeshjet e zhvilluara në kampionatin italian (me përjashtim të javës së 38-të). Lojtarët më të mirë të sezonit: Lojtari më i mirë Under 23: Victor Osimhen (Napoli); Portieri më i mirë: Mike Maignan (Milan); Mbrojtësi më i mirë: Gleison Bremer (Torino); Mesfushori më i mirë: Marcelo Brozovic (Inter); Sulmuesi më i mirë: Ciro Immobile (Lazio).

“Po vjen fundi i një sezoni të ekuilibruar dhe të pasigurt siç nuk ndodhte prej vitesh, me gjithçka që do të vendoset në javën e fundit”, ka qenë komenti i administratorit të deleguar të Lega Serie A, Luigi De Siervo. “Merita e gjithë kësaj është kryesisht e lojtarëve të mrekullueshëm që kanë ofruar një spektakël të pasur në fushë. Falënderojmë veçanërisht këta pesë kampionë që janë dalluar në rolet respektive për cilësitë teknike, personalitetin dhe përkushtimin”.